Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i drejtuar ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, deklaroi se kushdo që mohon ekzistencën e narkoshtetit në vend mbështet me dashje ose pa dashje platformën e qeverisë Rama.
Berisha akuzoi qeverinë se ka sjellë “tretjen e kombit shqiptar”, duke shkaktuar rënie të prodhimit, largimin masiv të qytetarëve, rritje të krimit dhe eksport të drogës drejt Europës dhe botës. Ai theksoi se Shqipëria, pavarësisht pasurive të saj natyrore, po shkatërrohet nga kultivimi i masiv i kanabisit dhe nga korrupsioni i strukturave shtetërore.
Ish-kryeministri kujtoi incidentin ku ambasadori Lu kishte përgëzuar autoritetet shqiptare për luftën kundër drogës, duke theksuar se ai e kishte konsideruar atë si mbështetje për vendosjen e narkoshtetit. Berisha shtoi se gjatë viteve në pushtet, trafikantët shqiptarë kanë pushtuar tregjet e drogës në Itali dhe Europë, duke u lidhur me organizata kriminale si Ndrangheta dhe Camorra.
Ai kritikoi gjithashtu ligjet dhe praktikat që, sipas tij, janë miratuar në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe vendet e BE-së. “Unë nuk mund të pranoj kurrë ligjet që mbështesin narkoshtetin,” tha Berisha.
Berisha përfundoi duke i bërë thirrje ambasadorit dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojnë realitetin e narkoshtetit dhe të kuptojnë se narkoshteti është realiteti më dramatik për shqiptarët.



