Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike do të angazhohet maksimalisht për të garantuar që shqiptarët të votojnë të lirë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë. Në një deklaratë të fortë publike, Berisha e cilësoi kryeministrin Edi Rama si “armik të votës së lirë”, duke e akuzuar për manipulim sistematik të proceseve zgjedhore.
“Opozita dhe shqiptarët duhet ta kenë të qartë se kurrë me Edi Ramën nuk mund të votojnë si qytetarë të lirë,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, largimi i Ramës është kushti themelor për garantimin e demokracisë në vend dhe për rikthimin e standardeve europiane në proceset zgjedhore.
“Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për të mobilizuar shqiptarët të qëndrojnë për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë diasporën,” theksoi ai.
Berisha ka drejtuar akuza të rënda ndaj përfaqësuesve diplomatikë të qeverisë nëpër ambasada dhe konsullata, të cilët i cilësoi si “përfaqësues të shtetit armik të votës së lirë” në diasporë.
“Kemi të bëjmë me një diktaturë autokratike, e cila ka si forcë lëvizëse drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve,” u shpreh ai.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen në një qëndresë të përgjithshme ndaj asaj që e konsideroi si një “narkoshtet”, duke e cilësuar këtë qëndresë si rrugëdaljen e vetme nga kriza politike dhe institucionale në vend.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur debati për standardet zgjedhore dhe votën e emigrantëve është rikthyer në qendër të vëmendjes politike, ndërsa opozita paralajmëron intensifikim të aksionit të saj kundër qeverisë në muajt në vijim.