Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi jashtë sallës së Parlamentit pas kaosit dhe përplasjeve të ndodhura këtë të enjte në Kuvend, duke deklaruar se veprimet e opozitës janë pjesë e një beteje për mbrojtjen e ligjit, Kushtetutës dhe shtetit ligjor.
Sipas Berishës, Parlamenti nuk mund të funksionojë normalisht për sa kohë që, sipas tij, mazhoranca zbaton moton “vidh dhe ik”, duke e cilësuar këtë si filozofinë që udhëheq qeverisjen aktuale.
“Beteja jonë është për ligjin, Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Motoja e PS-së është ‘vidh dhe ik’. Ergys Agasi është njeriu më i afërt i Edi Ramës, terrorist me dy pengmarrje, dhe jeton i qetë pa asnjë lloj bishe, madje me mbrojtje shtetërore. Parlamenti nuk mund të funksionojë me ata që zbatojnë moton ‘vidh dhe ik’. Vetëm ligji duhet të mbizotërojë,” u shpreh Berisha.
Deklarata e kreut të PD-së vjen pas një seance plenare të shoqëruar me tensione të forta, ku deputetët e opozitës bllokuan nisjen e punimeve duke u ulur në vendet e ministrave të kabinetit qeveritar. Përpjekjet e Gardës së Republikës për t’i larguar sollën përplasje fizike në sallë, duke krijuar kaos dhe ndërprerje të seancës.
Për shkak të situatës, me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Kuvendi kaloi drejtpërdrejt në votim të rendit të ditës, ndërsa seanca u mbyll pa zhvilluar debatet e parashikuara.



