Nga Elbasani, kreu i PD-së, Sali Berisha është ankuar për pensionet.
Sipas tij, për 12 vite u ngrinë rrogat në një politikë absolutisht kriminale.
“Pensionet u shpallën se do indeksoheshin dhe ai u provua një mashtrim i madh. Pensionet absolutisht nuk u indeksuan, por nëse marrim indeksimin e fundit, që nuk ishte as 4 përqind, pensionet sot, 160 mijë lekë pensioni mesatar me 143 mijë që ishte pensioni në vitin 2013. Po të zbresësh inflacionin, janë të paktën 15 përqind më të ulëta”, ka thënë Berisha.
Deklarata e plotë:
Unë vij këtu sot për të diskutuar me ju problemet jetike të shoqërisë sonë, gjendjen në të cilën ai ka zhytur shoqërinë shqiptare, para së gjithash me këtë vjedhje të madhe që u bëhet fondeve dhe pasurive publike dhe këtë varfërim të pamëshirë në rritje nga viti në vit.
Ju e keni të qartë që në një ekonomi tregu që funksionon në mënyrë normale, varfëria nuk rritet, por ulet progresivisht.
Pasuria nuk përqendrohet, por shpërndahet progresivisht.
Kurse këtu në Shqipëri, nga viti 2013 gjer në vitin 2024, varfëria është rritur në mënyrën më të frikshme, është shndërruar në një tiran të vërtetë për qytetarët shqiptarë.
Në vitin 2013, me një përpjekje shumë të madhe, nga viti 2005, ne dolëm në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet, e hoqëm atë vulën e më të varfërve, sepse ajo vulë ishte shumë e pamerituar për ne, sepse ne jemi një vend me pasuri përrallore. Nuk ka një vend të dytë, jo në rajon, por askund me pasuritë që ka Shqipëria.
Ajo që ne trashëguam, më të varfrit e të varfërve, aty u shkëputëm nga ajo kohë. Në vitin 2013 kishim paga dhe pensione më të lartat se 6 vendet e rajonit, plus Buljgaria dhe Rumania.
Kjo ishte në radhë të parë vullnet politik. Shqiptarët duhet të dilnin shpejt nga varfëria. Nuk dolëm, por bëmë hapa shumë të mëdhenj përpara. Kaluam nga grupi i kombeve me të ardhura të ulëta, në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
Kjo ishte, dhe aty e dorëzuam pushtetin, humbëm zgjedhjet, bëmë rotacionin.
Çfarë ndodhi? Ndodhi një dukuri që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Europës.
Për 12 vite u ngrinë rrogat në një politikë absolutisht kriminale, rrogat u ngrinë, çmimet u rritën trokthi.
Pensionet u shpallën se do indeksoheshin dhe ai u provua një mashtrim i madh. Pensionet absolutisht nuk u indeksuan, por nëse marrim indeksimin e fundit, që nuk ishte as 4 përqind, pensionet sot, 160 mijë lekë pensioni mesatar me 143 mijë që ishte pensioni në vitin 2013. Po të zbresësh inflacionin, janë të paktën 15 përqind më të ulëta.
Kjo në pamje të parë sepse inflacioni llogaritet duke marrë për bazë çmimet e dhjetëra artikujve.
Mirëpo për pensionistin, 60 përqind e tyre nuk kanë asnjë vlerë, as nuk i blen, as nuk i shet. Pensionisti ka në radhë të parë produktet bazë dhe ilaçet.
Këtu ndalemi. Në qoftë se i referohemi inflacionit të këtyre produkteve, ky inflacion, kjo rritje është 3.7 herë më e lartë se sa e rritja e inflacionit të përgjithshëm, për të cilin janë indeksuar pensionistët.
Rritja e çmimeve të shportës dhe ilaçeve është pra 3.7 herë më e lartë se sa rritja në tërësi e të gjithë produkteve.
Ky është pra një mashtrim i madh që u bëhet pensionistëve, një mashtrim cinik, i pashpirt.
Edi Rama, duke njohur krimin që ka bërë ndaj pensionistëve, ndërmori vallën e pashpirtësisë, ndërmori një seri takimesh një muaj e gjysëm se si t’i mashtronte këta njerëz.
Se si e si fajin e kanë biznesmenët.
Po pse e paskan biznesmenët fajin, kur kryeministri ka mbledhur prej tyre 8.2 miliardë euro.
8.2 miliardë euro të dashur miq janë dy buxhete të vitit 2008.
Ç’faj paskan biznesmenët këtu? Për të bërë atë që pensionistët të shohin me urrejtje biznesmenët dhe të besojnë se këta janë fajtorë dhe jo qeveria.
Cinike! Fajin e ka ajo që trashëguam dhe ajo që trashëguam është kjo.
E di çdo pensionist, gjetëm pensionin minimal 36 euro, e rritëm në 82 euro.
Gjetëm pensionin mesatar 70 euro, e rritëm në 105 euro.
Sot, pensioni mesatar, sepse euro ishte 140 lekë, nuk ishte narko-euro, në atë kohë narko-eurot nuk bënin ligjin në ekonomi, pra në 12 vjet, sot çdo pensionist merr 30 përqind më pak po të kemi parasysh edhe kursin e këmbimit.
E vërteta është se çmimet e ushqimeve bazë janë rritur, dhe janë krahasuar me çmimet në vendet e BE, nga 10 në 250 përqind më të larta.
Ju keni njerëz në Greqi, Itali, Gjermani, që të gjithë pazaret i bëjnë me çmime qartësisht më të lira se në Shqipëri.
Jo, thotë ky, nuk bëhet, se po të rrisim pensionet, vetëm sa nuk thotë se është një krim.
Pse nuk rriten pensionet? Po është krim të mos rriten pensionet.
Sa i ka pensionet sot Mali i Zi? 310 përqind më shumë se ne. Po çfarë ka Mali i Zi? Ka breg, që ne kemi 10 herë më shumë, ka male që ne jkemi shumë më tepër, ne kemi fusha, ata nuk kanë fusha, kemi të gjitha llojet e mineraleve.
Çfarë ka Mali i Zi që një pensionist të marrë sa 3 pensionistë tanë.
270 përqind më shumë merr pensionisti serb. Të gjithë në vitin 2013 merrnin më pak se ju.
280 përqind më shumë merr pensionisti në Maqedoni.
Albin Kurti u tha pensionistëve para 1 muaji, do ua rris 20 përqind. Mori 100 milionë euro dhe i çoi në fondin e pensioneve.
Po ne me 8 miliardë buxhetin, për 780 mijë pensionistëve, po çfarë pëson shteti nëse merr 800 milionë dhe i çon në fondin e pensioneve?
Si i sheh këta njerëz ai? Çfarë i konsideron ai këta? Njerëz që flasin me vete se nuk mbyllin dot muajin.
Ky është krim, krim i rëndë!