Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar sot gjatë një konference për shtyp se opozita nuk e njeh legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit dhe ka paditur të gjitha qarqet për këtë çështje. Sipas tij, procesi zgjedhor është manipuluar dhe është i deformuar nga ndërhyrjet politike dhe mungesa e transparencës.
“Qëllimi i parë, numër një i PD dhe i Aleancës për Shqipërinë Madhështore është ky: Nuk pranojmë legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve. Prandaj kemi paditur çdo qark për legjitimitetin e tyre, me dokumente të pafundme që faktojnë shkeljet”, tha Berisha.
Ai theksoi se transparenca është një e drejtë themelore e çdo qytetari dhe se PD do të mbështesë çdo kandidat që kërkon rinumërim apo verifikim të votave. Sipas tij, kjo nuk vjen nga ndonjë paragjykim i partisë, por nga respektimi i të drejtës për të zbardhur të vërtetën.
“PD respekton të drejtën për transparencë si një e drejtë e patjetërsueshme. Çdo kandidat që ka dyshime për numërimin, do të mbështetet. Por kjo nuk do të thotë që partia ndan të njëjtin dyshim. Ne nuk paragjykojmë, por mbrojmë të drejtën për transparencë”, u shpreh ai.
Berisha kritikoi ashpër qasjen e kryeministrit Rama ndaj raportit të fundit të BE-së për zgjedhjet, duke e cilësuar si një “fytyrë të pastër të diktaturës moderne” dhe një realitet nga i cili “Edi Rama nuk del më”.
“Në vitin 2009 Rama nuk paraqiti dot asnjë provë dhe kërkonte hapjen e kutive. Sot, pas tre ditësh, del me kërkesa për të ndaluar transparencën. Intelektualët e llumit dhe avokatët e krimit e mbrojnë në media. Por kupa është mbushur dhe është stërmbushur”, tha Berisha.
Në përfundim të deklaratës së tij, ai theksoi se raporti i Komisionit Europian është një sinjal i qartë alarmi për gjendjen në vend dhe se ky është vetëm fillimi i një reagimi më të gjerë demokratik:
“Koha e mashtrimeve ka marrë fund. Ora e së vërtetës do bëhet gjithnjë e më e madhe, gjithnjë e më e fuqishme.”