Gjatë një konference për shtyp, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj një pyetjeje te një gazetare, duke i kujtuar se ndonëse kishte kërkuar më herët prova për të ashtuquajturin “Treni Bullgar”, mungoi në momentin kur ato u paraqitën.
“Konferenca e shtypit është e kryetarit dhe paraqet këtu tërësinë e provave, fakteve të farsës elektorale. Me respekt ndaj qytetarëve dhe medias, përfshi edhe ju, tjetër punë se një ditë kërkon se ku janë të dhënat e Trenit Bullgar, ditën tjetër ti mungon dhe mbetesh ta shohësh në media,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë qenë të pranishëm në të gjitha mediat ku janë ftuar, pa përjashtim, duke hedhur akuza ndaj atyre që – sipas tij – po injorojnë faktet e manipulimeve zgjedhore të 11 majit 2025.
Berisha u ndal edhe një herë te denoncimi i tij për atë që ai e quan “farsë elektorale”, duke nënvizuar se për çdo pretendim po paraqiten fakte dhe dokumente zyrtare. Ai e cilësoi si të turpshëm rolin e institucioneve në mbylljen e syve përballë shkeljeve, ndërsa ftoi mediat të reflektojnë mbi qasjen e tyre ndaj opozitës dhe zërave kritikë.