back to top
22.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha prezanton planin për uljen e çmimeve të banesave

Berisha prezanton planin për uljen e çmimeve të banesave

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën me gazetarët ditën e sotme, ka prezantuar planin të detajuar për uljen e çmimeve të banesave dhe përmirësimin e kushteve ekonomike në Shqipëri. Berisha propozoi disa masa fiskale dhe ekonomike që synojnë lehtësimin e barrës tatimore dhe rritjen e konkurrencës në treg.

Një nga masat kryesore është ulja e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 8% në 2%, që do të sjellë uljen e çmimit të banesave. Kodi fiskal do të miratohet brenda tre muajve dhe do të mbetet i pandryshueshëm për katër vjet, përveçse për lehtësime tatimore. Berisha propozoi gjithashtu tatimin e sheshtë prej 10% mbi kapitalin dhe të ardhurat jo nga paga, me përjashtim të 50 mijë lekëve të para, që nuk do të tatohen. Po ashtu, TVSH do të ulet nga 20% në 15%, ndërsa bizneset me xhiro deri në 18 milionë lekë do të përjashtohen nga TVSH.

Kryetari i PD, Sali Berisha propozoi shfuqizimin e disa taksave dhe tarifave që rëndojnë mbi qytetarët dhe bizneset, përfshirë taksën për strehimin social, tarifën për lejen e zhvillimit dhe tarifën për rivlerësimin e pronës, që do të ulet nga 5% në 1%. Këto masa kanë për qëllim të stimulojnë zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe të lehtësojnë barrën tatimore për bizneset dhe qytetarët.

Po ashtu, Berisha prezantoi edhe një program për uljen e çmimeve për biznese dhe konsumatorë, duke përfshirë uljen e akcizës për birrën nga 300-600 lekë për hektolitrin dhe uljen e çmimit të energjisë për bizneset në 6 lekë për kilovatt-orë. Ai propozoi gjithashtu gjithashtu uljen e taksës së shitjes së pronës nga 15% në 2% dhe heqjen e taksës për karburantin, duke synuar përafrimin e çmimit të karburantit me fqinjët.

Në kuadër të programit për zhvillimin ekonomik, lideri opozitar, Sali Berisha paraqiti masa për mbështetje të sipërmarrjes, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë. Ai propozoi që investitorët në zonat malore të kenë 8 vite pa taksa, ndërsa investitorët në zona të tjera të kenë 5 vite pa taksa. Po ashtu, për punonjësit sezonalë të turizmit do të garantohen kushte më të mira dhe mbrojtje gjatë periudhës së mungesës së turistëve. Për të rinjtë nën 30 vjeç, Berisha propozoi zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muajt e parë të punësimit, si dhe përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat deri në moshën 25 vjeç.

Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi gjithashtu se për gratë do të ketë zero tatim fitimi për vitin e parë të biznesit, si dhe mbështetje për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për 4 muajt e parë të punës, si edhe krijimin e një fondi për mbështetje të bizneseve të grave dhe ka premtuar kredi të buta bankare për gratë, duke pasur përparësi për ato që investojnë në startup-e dhe inovacione.

Në kuadër të programit “Made in Albania”, Berisha paraqiti krijimin e 4 zonave të lira ekonomike në qarqet kryesore të Shqipërisë, ku nuk do të mund të investohet nga kompani me konto offshore. Po ashtu, ai theksoi se qeveria do të mbështesë dixhitalizimin e bizneseve dhe instalimin e paneleve diellore, duke mundësuar energji falas për shqiptarët brenda 3 vjetësh. Startup-et dhe inovacioni do të mbështeten nga banka e zhvillimit, dhe kompanitë “Made in Albania” do të kenë përparësi në financimin për dixhitalizimin.

Berisha ka kritikuar ashpër qeverinë e Edi Ramës, duke akuzuar kryeministrin për dështimin në mbajtjen e premtimeve, si krijimi i 300 mijë vendeve pune, heqja e TVSH-së për ushqimet dhe ulja e çmimit të energjisë. Ai ka theksuar se shqiptarët nuk kanë parë asnjë premtim të mbajtur nga Rama dhe ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të ligjit për minimumin jetik, që do të sillte pensione më të larta për qytetarët.

Berisha ka deklaruar se Korporata Shqiptare e Investimeve, që ai e cilëson si “piramidën më të madhe të grabitjes së pronave”, do të shkrihet menjëherë dhe çdo vendim dhe ligj që është bazuar në korrupsion do të anulohet. Ai ka kritikuar investimet e huaja, duke theksuar se ato përfshijnë vetëm blerjen e apartamenteve nga jashtë dhe jo investime serioze. Në fund, Berisha ka premtuar ndëshkimin e aktorëve të përfshirë në skandale korruptive dhe ka theksuar se do të krijohet një klimë më miqësore për bizneset në Shqipëri.

Berisha ka akuzuar qeverinë dhe bandat e lidhura me të për përfshirjen në korrupsion dhe krime të organizuara, duke thënë se shumë projekte ndërtimi financohen nga grupe kriminale dhe jo nga bankat. Ai ka përmendur lidhjet e Edi Ramës me bandën e Suel Çelës dhe ka theksuar se bandat janë të lirë dhe po kontrollojnë aktivitete të ndryshme, duke përfshirë lojërat e fatit dhe shpërndarjen e parave nga narkotrafiku. Berisha ka kërcënuar se krimi elektoral do të konsiderohet një vepër e rëndë kriminale dhe ka premtuar zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Ai ka kritikuar gjithashtu rritjen e çmimeve dhe pagat e ulëta, duke thënë se kjo është një formë e spastrimit etnik të popullatës nga ky regjim.

Berisha ka deklaruar se çmimi prej 3 euro për 1 mijë pulla fiskale është një propozim që vjen nga Bashkimi Europian dhe se këto çmime do të zbatohet në Shqipëri. Ai ka theksuar se pullat fiskale të kompanisë zvicerane, që ishin të teknologjisë “smart” dhe mund të zbulonin kontrabandën, janë zëvendësuar me pulla pa garanci, duke hapur mundësitë për kontrabandë. Berisha ka njoftuar gjithashtu se po ndjek zhvillimet që mund të çojnë në rikthimin e këtyre pullave me një emër tjetër, por ka theksuar se çmimi i pullave do të mbetet 3 euro për 1 mijë pulla, sipas standardeve të BE-së.

Berisha ka kritikuar Edi Ramën për kopjimin e premtimeve të Partisë Demokratike (PD), duke theksuar se Shqipëria, me rrogat e ulëta, nuk mund të pranohet në Bashkimin Europian. Ai ka shpjeguar se rrogat janë një kriter shumë i rëndësishëm për integrimin në BE dhe ka akuzuar Ramën se ka penguar rritjen e rrogave. Berisha ka premtuar se, nëse PD fiton, ky kriter do të plotësohet brenda tre muajve të parë të qeverisjes së saj. Ai gjithashtu ka përmendur një deklaratë të Ramës në tetor, ku ai e quajti situatën ekonomike si “shkatërrim” dhe “apokalips”.

Berisha ka theksuar se paketën e dhembshurisë e kishte paraqitur para 15 muajsh, por ajo ishte refuzuar nga Kuvendi. Ai ka akuzuar forcën tjetër politike për kopjimin e programit të PD, pasi shqiptarët nuk e pranuan më. Berisha ka theksuar se programet janë të përllogaritura dhe do realizohen në masë të plotë. Ai ka bërë një lidhje të ngushtë midis korrupsionit dhe problemeve të shumta në vend, duke përmendur mungesën e ilaçeve dhe pasigurinë ekonomike që ka shkaktuar rënia e kursit të euros dhe largimi i shqiptarëve. Ai ka premtuar zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit dhe se do të ndëshkohen ata që janë përgjegjës për këto probleme.

Berisha ka komentuar ardhjen e Chris LaCivita, duke thënë se do ta mbajë datën e vizitës si një surprizë për Edi Ramën, për t’i shkaktuar një efekt të papritur kur ai të arrijë. Ai ka theksuar se çdo shpenzim i partisë do të jetë transparent dhe në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe të vendit të kompanisë. Berisha ka shtuar se puna me kompanitë konsultative elektorale, si dhe bashkëpunimi me LaCivita dhe ekipin e tij, funksionon çdo ditë, me këshilla dhe shqetësime të përditshme, përmes komunikimeve online dhe prezencës fizike në zyrat përkatëse.

Berisha ka theksuar se PD është e angazhuar për një reformë të sistemit të drejtësisë, duke kritikuar vonesat dhe korrupsionin që e bëjnë procesin ligjor të padrejtë dhe të pasigurt. Ai ka theksuar se qytetarët presin shumë vite për një vendim dhe se sistemi aktual është i kontrolluar politikisht, duke bllokuar investimet dhe zhvillimin ekonomik. Berisha ka kërkuar një sistem ligjor të pavarur dhe transparent, që të garantojë drejtësi dhe siguri për qytetarët.

Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi qeverinë Rama për dështimin në realizimin e premtimeve si krijimi i 300 mijë vendeve pune, heqja e TVSH-së për ushqimet dhe ulja e çmimit të energjisë. Ai kritikoi qeverinë aktuale për keqmenaxhim të ligjit për minimumin jetik dhe dështim në përmirësimin e kushteve për pensionistët. Berisha gjithashtu hodhi akuza ndaj qeverisë dhe bandat lidhur me të për korrupsion dhe krime të organizuara, duke përmendur financimin e projekteve nga grupe kriminale dhe lidhjet me bandën e Suel Çelës.

Ndër të tjera, Berisha propozoi uljen e çmimit të pullave fiskale dhe ka kritikuar vendimin për zëvendësimin e pullave “smart”, duke hapur mundësi për kontrabandë. Ai theksoi se Shqipëria nuk mund të pranohet në BE me rroga të ulëta dhe ka premtuar rritjen e rrogave brenda tre muajve të ardhshëm.

Në lidhje me korrupsionin, Berisha kërkoi zero tolerancë dhe ka premtuar ndëshkimin e atyre përgjegjës për problemet ekonomike dhe sociale. Ai komentoi gjithashtu ardhjen e kryestrategut të fushatës elektorale, Chris LaCivita, duke theksuar se çdo shpenzim i PD do të jetë transparent dhe në përputhje me ligjet e Shqipërisë.

Berisha kritikoi me tone të ashpra sistemin aktual të Drejtësisë, duke kërkuar një sistem ligjor të pavarur dhe transparent, që garanton drejtësi dhe siguri për qytetarët, si një përparësi të programit të PD.

FJALA E PLOTË

Ekonomia, ekonomia, ekonomia është programi i Shqipërisë Madhështore.

Konsulta intensive janë zhvilluar me biznesin, me grupet e interesit ndaj dhe ato janë pasqyruar në programin tonë.

Kështu që sot po ju paraqes ju edhe njëherë të plotë programin e Made in Albania, programi që synon të nxisë prodhimin në Shqipëri, të ndezë motorët e prodhimit që po shuhen, po bien nga viti në vit në mënyrë të pandalshme.

Përveç garancive ligjore të një kodi fiskal që do miratohet tre muajt dhe nuk do mund të ndryshohet, përveçse në rast se lehtësohet, jo rëndim për biznesin gjatë 4 viteve.

Pra, kodi fiskal që do miratohet 3 muajt e parë nuk do mund të ndryshohet gjatë 4 viteve për rëndime, por vetëm për lehtësime.

Do të ulet numri i shkallëve të ndryshme tatimore.

Vendoset taksa e sheshtë 10 përqind mbi kapitalin, mbi të ardhurat nga puna, me përjashtim të 50 mijë lekëve të para nuk do tatohen.

Taksa e sheshtë 10 përqind mbi të ardhurat jo nga paga.

Zero taksim për profesionet e lira dhe biznesin e vogël.

Tavani vjetor për tatim fitimin zero për biznesin e vogël.

Kufiri i përjashtimit nga TVSH do jetë 18 milionë lekë xhiro vjetore.

TVSH do ulet në 15 përqind, ikën tabuja 20 përqind.

Taksa e ndikimit në infrastrukturës do ulet nga 8 përqind e çmimit të shitjes në 2 përqind të preventivit.

Shkak themelor i çmimeve strastosferike në ndërtim janë taksat absurde që vendosen mbi sipërfaqen e ndërtimit, të cilat në fakt sipas rastit, minumimi 10fishuan taksën e përparme dhe në raste të tjera edhe 20 apo 30 fishuan atë.

Dhe e gjitha kjo iu faturohet qytetarëve, duke ua shndërruar në pamundësi blerje.

Ose duke i shndërruar apartamentet në molla të ndaluara.

Jo vetëm kaq, por kjo ka një ndikim shumë të fortë tek qiratë. Dhe në vendin me rrogat më të ulëta në Euiropë, qiratë janë në nivelet më të lartat.

Ne e ndryshojmë rrënjësisht këtë situatë.

Taksa 3 përqind e strehimit social mbi çmimin e shitjes shfuqizohet. Nuk do ekzistojë.

Tarifa 1 përqind e lejes së zhvillimit mbi vlerën e investimit shfuqizohet.

Tarifa e rivlerësimit të pronës do ulet nga 5 në 1 përqind.

Në konsultat tona, akciza për birrën do jetë me dy fasho.

600 lekë hektolitri për prodhuesit mbi 200 mijë hektolitra në vit.

Dhe duke respektuar standardin e BE, 300 lekë hektolitri për prodhuesit nën 200 mijë hektolitra në vit.

Çmimi i pullave fiskale nga 17 euro për 1 mijë pulla do ulet në 3 euro për 1 mijë pulla.

Çmimi i pullave fiskale për verën do ulet nga 25 euro për 1 mijë pulla në 3 euro për 1 mijë pulla.

Për verën, do të unifikohet akciza e lidhur me gradacionin e alkoolit.

Akciza do të lidhet me prodhues të mëdhenj dhe të vegjël.

Ajo që kanë vendosur këta mbi 12.5 përqind është një absurditet me brirë. Ne do nxisim prodhimin vendas. Natyrisht respektojmë rregullat e BE.

Edhe njëherë, në qoftë se në nga aktet e para, hedhim në Lanë Ballkanin e Hapur, ne u qëndrojmë besnikë detyrimeve që rrjedhin nga Procesi i Berlinit dhe procesi i integrimit në BE, pasi ato janë të studiuara.

Psh BE pranon diferenca në akciza midis prodhuesve të mëdhenj dhe të vegjël dhe kjo është e bazuar në kostot që ka prodhuesi i madh me prodhuesin e vogël, por brenda një diapazoni të caktuar, pra nuk mund të jetë më shumë se 50 përqind diferenca.

Por, siç e shihni, ne arrijmë të nxisim prodhimin në këtë mënyrë.

Shpërblimet e dhëna me dëshirë dhe pa shtrëngesë nga klientët në njësitë që ofrojnë ushqime dhe pije janë të ardhura të përjashtuara nga tatimi si për kompaninë ofruese të shërbimit edhe për të punësuarit si kamarierë që përfitojnë prej tyre.

Pra, ai që në botë quhet tip, në Shqipëri e quajnë bakshish, nuk tatohet.

E kam theksuar edhe herën tjetër, energjia elektrike për biznesin nga 18-24 orë që është sot, do shitet në 6 lekë. Zbret pra 3-4 herë.

Taksa e shitjes së pronës ulet nga 15 përqind në 2 përqind.

Taksa Rama e karburantit hiqet dhe në të gjitha pikat e shitjes së karburantit nuk mund të shitet karburant me ndryshim çmim plus/minus 10 përqind me pompat e vendeve fqinje.

Bimët medicinave marrin një mbështetje preferenciale të fuqishme krahas ullirit dhe arrorëve dhe bimëve aromatike.

Ato janë dhe duhet të jenë një burim i fuqishëm i të ardhurave të zonave ku ato rriten dhe nuk ka një vend tjetër të ketë biodiversitetin e Shqipërisë. Do ofrohen lehtësira logjistike dhe të llojeve të tjera. Linja kredi dhe nxitje e fuqishme e barabartë me ullirin dhe arrorët, të cilët ngelen përparësi të pandryshueshme dhe të suksesit tonë.

Qeveria dhe operatorët turistikë do të bashkëpunojnë në mënyrë që punonjësit sezonalë të turizmit të mund të paguhen me një rrogë bazë në periudhën kur në pikun e mungesës së turizmit, gjatë stinës që nuk ka turistë, sepse ata dalin në qiell të hapur pa asnjë mbrojtje.

Një pjesë e tyre janë sezonalë, janë studentë, janë nxënës, por të tjerë që nuk janë sezonalë në këtë punë, do të trajtohen me dinjitet dhe nuk do mund të flaken sipas sezonit, sikundër kujdesje e veçantë do bëhet për këta punonjës lidhur me kushtet e jetesës së tyre që duhet të jenë brenda standardeve njerëzore.

Ligji për investimet strategjike pëson ndryshim rrënjësor.

Çdo titull strategjik i dhënë me koncesion anulohet.

Çdo shqiptar që vjen për të investuar në Shqipëri do të jetë 5 vite pa taksa kudo që të investojë.

Por ataqë investojnë në zonat malore, ata do jenë 8 vite pa taksa, siç ka qenë ligji që e anuloi Edi Rama, por e rikthen tani për grupe që i interesojnë atij.

500 të parët thotë ai, se ata 500 të dytët janë të njerkës ata, nuk mund të përfitojnë. Me ca koncepte të ndryshkura.

Eksportet, përveç bordit që u informova ju, do krijohet bordi që do monitorojë dhe kompensojë dëmet e krijuara nga lëkundjet e kursit të narko-euros.

Do krijohet fondi për mbështetjen, mbrojtjen dhe nxitjen e eksporteve.

Për të rinjtë, zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muajt e parë të punësimit. Çdo i ri nën 30 vjeç.

Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat gjer në moshën 25 vjeç.

Stimuj fiskalë dhe mbështetje financiare për investitorët nën moshën 35 vjeç që duan të investojnë në startup-e dhe inovacion.

Mbështetje e fortë e arsimit profesional dhe ekselencave të tij për biznesi.

Për zonjat, gratë, zero tatim fitimi për vitin e parë të biznesit. Subvencionim i sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për 4 muajt e parë, me kushtin që gjysma e të punësuarve të jenë femra dhe të rinj.

Kredi të buta bankare nga banka e zhvillimit me preferencë për gratë dhe krijimi i një fondi për mbështetjen e bizneseve të grave.

Pra, do bëhet gjithçka për pushtetërimin ekonomik të grave në Shqipëri.

Kjo është një mënyrë e suksesshme për të luftuar pabarazinë e madhe gjinore që ekziston në rrafshin ekonomik midis burrave dhe grave.

Kjo është e domosdoshme gjithashtu në mënyrë që gratë, vajzat të mund të shpalosin në kushte normale talentin, aftësinë e tyre në fushën e biznesit.

Do krijohen 4 zona të lira ekonomike në qarqet e mëdha të vendit në standardet më të mira, në të cilat nuk do mund të investojnë kompanitë me konto offshore.

Asgjë nuk mund të vijë, se pastaj do vërshonin miliarda para të vjedhura nga ministrat dhe qeveritarët, do ktheheshin këtu në zona industriale.

Qeveria do bashkëpunojë ngushtë me biznesin për dixhitalizimin e të gjitha bizneseve.

Qeveria në bashkëpunim me sistemin bankar do të ndërmarrë bashkëfinancimin e vendosjes së paneleve diellore nga jugu në veri, paneleve fotovoltaike në mënyrë që në krye të 3 viteve të pagesës së qirasë, çdo shqiptar të marrë energjinë falas nga këto panele.

Startup-et dhe inovacioni do njohin një mbështetje të fuqishme nga banka e zhvillimit.

Kompanitë Made in Albania do jenë përfitueset e para nga financimi buxhetor i proceseve të dixhitalizimit.

Pra, programi ekonomik Made in Albania i Shqipërisë Madhështore, është pa mëdyshje programi më i mirë që është paraqitur ndonjëherë në Shqipëri në raport me lirinë ekonomike, në raport me konkurrencën dhe barazinë e garës, në raport me klimën miqësore për investitorët dhe investimet, në raport me tërheqjen e investimeve të huaja, në raport me nxitjen e eksporteve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat