Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi gjatë ditës së sotme një bashkëbisedim, me prodhuesit e bimëve medicinale. ‘Shqipëria ka një pasuri shumë të madhe tek bimët eterovajore, bimët mjekësore, aromatike, që kanë një treg të pashtershëm, të garantuar dhe që nuk ka pasur mbështetjen e duhur nga shteti’, tha kreut i PD.
Teksa ka prezantuar programin e PD-ASHM për bimët medicinale me prodhuesit, kryedemokrati Sali Berisha ka premtuar kompensim për eksportetet. Gjatë bashkëbisedimit me prodhuesit, teksa u pyet nga këto të fundit për tarifat globale të presidentit amerikan, Donald Trump,Berisha tha se qëndrimi i PD në raport me tarifat, janë negociatat me qeverinë amerikane për zerim të tyre. ‘Supozojmë se qeveria amerikane për arsyet e veta nuk e adapton këtë, ne do u kompensojmë plotësisht tarifën e eksportit të vendosur nga vendet ku ju eksportoni’, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD, Sali Berisha shprehet se Rama ofron alternativën më të keqe, atë të shpëlarjes së trurit, teksa iu referuar falimentimit të një fermeri që i kishte dhënë votën kryesocialistit pas propagandës së këtij të fundit. Duke folur në takimin me prodhuesit e bimëve medicinal, Berisha tha se Rama, prodhimin bujqësor e blegtoral e ndëshkoi me Ballkanin e Hapur. ‘Hapi kufijtë, se nuk e bën asnjë vend në botë, e bëri si një argat i Vuçiçit, ndërkohë që zotëria e tij i financon fermerët në gjithë Serbinë 8 herë më shumë se Edi Rama’, theksoi ndër të tjera Berisha.
Në fund të fjalës së tij, krydemokrati Sali Berisha ka deklaruar se droga, do të zhduket nga harta e Shqipërisë, ndërsa u ka bërë thirrje fermerëve që kanë marrë licenca për të mbjellë kanabis mjekësor, që ti kthejnë ato dhe tokat ti mbjellin me bime aromatike dhe eterovajore.
‘Do të zhdukim drogën nga Shqipëria ne! Ne jemi kundër dhe u them atyre që morën ato licenca nga Edi Rama, ato janë licencat e helmit. Më mirë mos bëni mëkat të mbillni drogë se absolutisht qeveria pas 11 majit do ketë një qëndrim shumë të rreptë ndaj saj. Shqipëria nuk mund të zhvillohet mbi drogën, Shqipëria ka trashëgiminë e saj natyrore fantastike, të jashtëzakonshme ndaj dhe ato licenca iu bëj thirrje atyre fermerëve që i morën për vota, t’ia djegin, të mos mbushin ato sipërfaqe me kanabis, me bimë helmi, por të shohin dhe të mbjellin bimë aromatike, të cilat kanë një eksport, janë me një kontribut të madh’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në takimin me biznesin e bimëve medicinale.
FJALA E PLOTE
Të dashur përfaqësues të njërit prej sektorëve më të rëndësishëm do ta quajë të Shqipërisë natyrale, sektorit të bimëve medicinale të vendit.
Së pari, u përshëndes shumë përzemërsisht ju dhe të gjithë fermerët, grumbulluesit, përpunuesit, eksportuesit të bimëve mjekësore, bimëve eterovajore të Shqipërisë.
Shpreh vlerësimin tim më të madh për punën që ju bëni, kontributin shumë të çmuar që jepni në ekonominë e këtij vendi.
Shqipëria është ndoshta për sipërfaqe, kilometër katrorë, vendi më i pasur që mund të ekzistojë në bimësinë e saj, në biodiversitetin e saj.
Shqipëria ka një pasuri shumë të madhe tek bimët eterovajore, bimët mjekësore, aromatike, që kanë një treg të pashterrshëm, të garantuar dhe që nuk ka pasur mbështetjen e duhur nga shteti.
Është injoruar në një mënyrë ose në një tjetër.
Përveç kësaj, këtij sektori, që është sektor eksporti, këto vitet e fundit i ka ndodhur edhe një goditje shumë e rëndë nga narkoeuro.
Sepse ju jeni sektor eksporti dhe natyrisht transaksionet janë në dollarë dhe euro.
Krijimi i narkoeuros, zhvlerësimi i saj nga euro e bimëve helmuese, drogave, ka bërë që me qindra e qindra sipërmarrje eksporti të falimentojnë dhe me dhjetëra mijëra shqiptarë të humbasin vendet e punës.
Ne në projektin tonë për Shqipërinë Madhështore, ne konsiderojmë sektorin e bujqësisë një sektor të rëndësisë parësore për realizimin e këtij projekti.
Dhe jemi zotuar për një përmbysje të plotë të sistemit aktual, të qëndrimit të këtij sistemi ndaj bujqësisë, blegtorisë, bimëve aromatike, etj.
Ne do të dyfishojmë buxhetin për këtë sektor dhe do të katër ose pesëfishojmë subvencionin për fermerët.
Do të subvencionojmë çdo hektar të mbjellë, çdo kokë bagëti dhe çdo fidan të mbjellë.
Për ju si sektor i veçantë do të subvencionojmë çdo përpjekje tuajën për kultivimin, për mbledhjen, për grumbullimin, për përpunimin dhe eksportin.
U garantoj se do jeni një sektor me përparësi absolute.
Kjo përputhet 100 përqind me filozofinë tonë Made in Albania, prodhimi shqiptar.
Sepse ne këtë Made in Albania e konsiderojmë levën e Arkimedit për të rritur rrogat, për të rritur pensionet, për të begatuar familjet, për të rritur prodhimin, për të konsoliduar ekonominë si ekonomi prodhuese.
Ne shpallim prodhimin si udhëheqës të ekonomisë sonë.
Sepse Shqipëria ka mundësi të jashtëzakonshme prodhimi dhe prodhimi po bie prej disa vitesh.
Janë krijuar mangësi të mëdha në krah pune. Ikni u thoshte ky narkodiktatori, që siç keni dëgjuar ju, nuk e ka shqipëruar njëherë fjalën sherebelë, por ka shqipëruar qindra mijëra herë fjalën kanabis. I ka mbetur shpirti në drogë të ziut, paçka se droga është shkatërrim, është rrënim, droga merr jetë, droga shkatërron shëndet, shkatërron familje, shkatërron komb.
Dhe ky, që kur ka ardhur në pushtet, nuk ka folur njëherë për ullinjtë, për vreshtin, për mollët, për arrat, për gështenjat, për bimët mjekësore, për bimët aromatike.
Bima e vetme aromatike për narkodiktatorin është droga.
Dhe cilido që do të njohë tjetrin, duhet ta gjykojë nga fjalori, nga ato që flet.
Nuk i nxjerr dot goja dhe shpirti fjalë tjetër përveç kanabisit, në një kohë kur kemi bimë të mrekullueshme.
Prodhimet më të famshme tonat janë bimët aromatike dhe eterovajore, më të pëlqyerat, më të preferuarat në tregjet ndërkombëtare.
Kjo nënkupton që ne këtij sektori do i vëmë një rëndësi shumë të madhe.
Do subvencionohet fuqishëm i gjithë procesi gjer në eksport.
Do krijohen lehtësi të mëdha logjistike të grumbullimit të këtyre bimëve.
Do krijohen lehtësi të mëdha për industrinë e përpunimit të tyre në vend.
E shtruat çështjen e tarifave. Shumë e drejtë!
Cili është qëndrimi ynë ndaj tarifave?
Qëndrimi ynë ndaj tarifave është negociata me qeverinë e SHBA për zero tarifa.
Ne do vendosim zero tarifa me kërkesën që qeveria amerikane të na përgjigjet edhe ne me zero tarifat.
Supozojmë se qeveria amerikane për arsyet e veta nuk e adapton këtë, ne do u kompensojmë plotësisht tarifën e eksportit të vendosur nga vendet ku ju eksportoni.
Ne do bëjmë gjithçka me grante, siç thashë për çdo njësi prodhimi dhe ato nuk do i merrni mbi bazën e burokracisë, por me dokumentacionet më të thjeshta.
Ju do merrni të gjithë mbështetjen bazuar në faturat që shisni.
Bazuar në dokumentet që sillni.
Bazuar në punën që harxhoni në proceset e trajtimit të këtij sektori.
Shqipëria ka pasur dhe ka institucione në këtë sektor, por ne do fuqizojmë krahas studimeve për bimët frutore, bimët e arave, krahas studimeve për bimët arrore, bimët e tjera, ne do fuqizojmë shumë sektorin e studimeve të bimëve aromatike.
Do angazhojmë ekspertizën shkencore më të mirë në këtë sektor.
Kudo Shqipëria është me një pasuri të madhe natyrore në këto bimë.
Kredi të buta në të cilat qeveria do të mbulojë 80 përqind të interesit, do ofrohen për ju sipas sektorëve.
Për të gjithë proceset që nevojiten në këtë fushë.
Ne duam ta bëjmë sektorin e bimëve eterovajore, ta shumëfishojmë në prodhim, në të ardhura, në punësim, në eksport.
Ju keni bërë shumë dhe e keni bërë pa ndonjë ndihmë. Pa ndihmën që meritoni.
Injorimi juaj dhe injorimi në tërësi i eksportit nga kjo qeveri, i ka kushtuar vendit një çmim më të rëndin, shpunësim dhe largim të shqiptarëve nga Shqipëria.
Ne do kemi një politikë shumë të vendosur për popullimin dhe ripopullimin e Shqipërisë.
Ne do bëjmë që ata që u larguan, të cilët në të shumtën punojnë në bujqësi, të kthehen dhe të punojnë në sektor bujqësie në Shqipëri.
T’u krijojmë ato kushte që kanë në vendet ku punojnë dhe të vijnë të ndërtojnë ëndrrën e tyre në këtë vend.
Do përpiqemi të mbështesim edhe sezonalitetin. Sot një punëtor sezonal është një punëtor shumë i pasigurt. Qoftë në sektorin tuaj, qoftë në turizëm, qoftë në çdo fushë.
Shteti, në bashkëpunim me ju, do vendosë disa paga bazë, në mënyrë që punëtorët në periudhën që nuk kanë punë, të marrin një shpërblim, një pagë bazë, të marrin minimumin jetik ose më shumë dhe të mos largohen, por të presin sezonin e ri të punës.
Pra, me të gjitha këto, desha t’u siguroj se nga një sektor i injoruar, por nuk jeni vetëm ju, është në tërësi bujqësia, dhe çfarë alternative ofron Edi Rama?
E dëgjuat vetë, alternativën e një fermeri që i thotë se prodhimi mu kalb, nuk e shita dot, se ferma më falimentoi, por unë do të votoj ty.
Jo, kjo është me zë dhe figurë.
Pra, Edi Rama ofron alternativë më të keqen që mund të ofrojë një njeri. Ofron shpëlarjen e trurit të njeriut që përbën dhe fatkeqësinë më të madhe njerëzore.
Moment që ne që kemi kaluar diktaturën komuniste, e dimë se çfarë do të thotë. Ne e kemi akoma të freskët kur ne rrëzuam shtatoren e Enver Hoxhës, diktatorit më të keq të të gjitha kohërave, por u gjetën qindra mijëra për të vendosur prapë shtatoren. Por ajo ishte shpëlarje truri dhe ajo nuk duhet të ndodhë kurrë.
Alternativa e Edi Ramës për fermerin, për bujqësinë, ishte kjo, më votoni, pavarësisht nga falimentimi, pavarësisht nga injorimi, pavarësisht nga dënimi që u kam bërë.
Se Edi Rama, prodhim bujqësor, blegtoral e ndëshkoi me Ballkanin e Hapur. Hapi kufijtë, se nuk e bën asnjë vend në botë, e bëri si një argat i Vuçiçit, ndërkohë që zotëria e tij i financon fermerët në gjithë Serbinë 8 herë më shumë se Edi Rama.
Atëherë hajde të bëjmë garë, unë 1, ti 8. Çfarë gare mund të bësh këtu? Nuk ka garë këtu.
Ndaj dhe fermerët falimentuan.
Rriti çmimet e inputeve.
Myzeqeja kishte 35 mijë lopë race, i ka therur gjysmën sepse dengu i barit u bë shumë më i shtrenjtë se kilja e qumështit.
Dhe ky mori e ua hapi kufirin, vuri ligjin, votoi ligjin për të futur qumështin pluhur pa taksa. A mund të imagjinoni ta bëjë një njeri? A ka akt më shkatërrues për prodhuesit e qumështit në Shqipëri? Dhe tani shqiptarët blejnë djathë të bërë me qumësht pluhur.
Por ai e bazon të gjithë qëndrimin ndaj fermerëve në shpëlarjen e trurit, mu kalb prodhimi, e hodha në kanal, por prapë do të votoj ty. Po mirë ti votoje, por ti ke një përgjegjësi për fëmijët tu, ti ke një përgjegjësi për nipërit e mbesat tua, ke një përgjegjësi për atë komunitet ku jeton.
Kur e sheh se njerëzit pikërisht se ti kalb prodhimin, ikin se nuk kanë çfarë të bëjnë, si mundet t’i premtosh votën një njeriu si ai.
Edhe njëherë i them atij fermeri të nderuar, fatkeq, se nuk e ke dëgjuar ndonjëherë të vetme të thotë patate, mollë apo groshë. Jo dhe jo, kanabis, kanabis dhe vetëm kanabis.
Po ç’të lidh ty me atë, si mundet? Normalisht njeri që jeton me nder, me punën e tij, siç jetojnë fermerët, nuk mund të kenë armik më egër se këtë njeri.
Unë kam besim të madh se me 11 maj, fermerët shqiptarë do jenë masivë në votën e tyre për fermën madhështore, për bujqësinë madhështore, për Shqipërinë madhështore.

***
U falënderoj për ndërhyrjet dhe u garantoj se ne këtë çështje e konsiderojmë një çështje të një rëndësie kombëtare, jo vetëm të një rajoni apo të një rrethi.
Shqipëria kudo është një trevë shumë e pasur në bimë aromatike, në bimë mjekësore, me leverdi shumë të madhe për kultivimin, për trajtimin, grumbullimin dhe eksportin e tyre.
Kështu që ne së pari, Filipi në një takim të mëparshëm më tha, duhet të na rreshtoni me ullirin dhe arrorët. Kërkesa e tij ishte e drejtë. Shumë e drejtë.
U garantoj që kjo do ndodhë në aktet më të para.
Ne do t’i japim përparësi shumë të madhe këtij sektori, çka do të thotë se për çdo hektar, për çdo njësi prodhimi, për çdo hapësirë grumbullimi, për çdo investim në përpunimin e tyre, në industrinë e tyre, ne do të qëndrojmë të vendosur të subvencionojmë, të kreditojmë me kredi të buta, të krijojmë çdo lehtësi.
Fitimet nga ky sektor, ju jeni realistë sepse i dini vështirësitë që keni dhe keni ambicie për t’i dyfishuar, por potenciali i Shqipërisë është për t’i pesëfishuar ato pa diskutim.
Ne, 80 përqind të sipërfaqes e kemi sipërfaqe bimësh aromatike, bimësh medicinale, bimësh eterovajore.
Plus që ne nuk duhet të hezitojmë, por të mbjellim edhe çdo gjë që bëhet në tokën tokë që traditë nuk e kemi nga këto bimë të kushtueshme.
Studime më të thella duhet të bëjmë ne me institutet tonë për identifikimin sipas specieve, sipas grupeve të atyre që janë më të kushtueshmet, më fitimprurëset dhe të tilla ka plot Shqipëria.
Pra, ne duhet të shënojmë një kthesë rrënjësore në këtë sektor, ku fermerët të mund të begatohen, të mund të rrisin prodhimin kudo në këtë vend.
Sot ju vuani nga rënia e euros. Kjo është kalimtare, por u garantoj se pas datës 11 maj, bordi i parë që do ngrihet është bordi i mbrojtjes suaj nga kjo.
Çfarë do të thotë? Ju dhe të gjithë eksportuesve, shteti do u kompensojë rënien e euros në një mënyrë që të vazhdoni me të njëjtin nivel fitimesh sikur euro të kishte kursin e saj natyral dhe jo kursin e drogës.
Këtë e bëjmë për ju, e bëjmë për të gjithë eksportuesit.
Theksova çështjen e tarifave. Ne do adoptojmë zero tarifa, por në rast se kjo nuk funksionon për arsye madhore të vendit tjetër që importon, atëherë ne do kompensojmë tarifën tuaj, shteti do ta njohë dhe ta kompensojë 10 përqindëshin.
Ju do jeni pjesë e vendimeve tona.
Do të jeni pjesë e të gjitha vendimeve që do marrim.
Ky sektor, duke i dhënë përparësi, natyrisht nuk mund t’i jepet përparësi në letër, por përparësi i jepet me mbështetje të fuqishme financiare në të gjitha hallkat e tij.
Do të subvencionojmë dhe ofrojmë kredi të buta për të gjithë ata që duan të fuqizojnë industrinë e përpunimit në mënyrë që ne të eksportojmë sa të jetë e mundur produkte përfundimtare. Kjo është në interesin e vendit dhe këtë do e bëjmë.
Për ta mbyllur këtë takim, ju duhet të siguroni fermerët se një politikë krejt tjetër, një qëndrim krejt tjetër ndaj tyre dhe ndaj këtij sektori do të jetë.
Ne kemi një praktikë shumë të suksesshme. Kur e nisëm projektin e ullirit ne kishim 4.2 milionë rrënjë ullinj të trashëguar nga të gjithë kohërat. E dorëzuam me 11.3 rrënjë ullinj.
Ne subvencionuam 2500 deri në 3000 euro hektarin e mbjellë me ullinj.
Ne do subvencionojmë fuqishëm sektorin e bimëve aromatike.
Sikundër do i mbrojmë ato aty ku ato kërcënohen sepse ka prej tyre bimë mjekësore, të cilat nga lakmia e madhe edhe mund t’i zhdukësh, por kjo nuk do ndodhë. Ne do përcaktojmë një kuadër të mirë që ato jo vetëm të zhduken, por të shtohen, të përdoren.
Pra do jetë një politikë krejt e re dhe me besim të madh se ju do e zbatoni dhe do bëheni promotorë të zbatimit të saj.
Do të zhdukim drogën nga Shqipëria ne! Ne jemi kundër dhe u them atyre që morën ato licenca nga Eid Rama, ato janë licencat e helmit. Më mirë mos bëni mëkat të mbillni drogë se absolutisht qeveria pas 11 majit do ketë një qëndrim shumë të rreptë ndaj saj.
Shqipëria nuk mund të zhvillohet mbi drogën, Shqipëria ka trashëgiminë e saj natyrore fantastike, të jashtëzakonshme ndaj dhe ato licenca iu bëj thirrje atyre fermerëve që i morën për vota, t’ia djegin, të mos mbushin ato sipërfaqe me kanabis, me bimë helmi, por të shohin dhe të mbjellin bimë aromatike, të cilat kanë një eksport, janë me një kontribut të madh.