back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Prill, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha prezanton programin për shëndetësinë: Do ndjekim modelin gjerman dhe do dyfishojmë...

Berisha prezanton programin për shëndetësinë: Do ndjekim modelin gjerman dhe do dyfishojmë buxhetin

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës së mbajtur me gazetarët ka akuzuar qeverinë për degradimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, duke theksuar se kjo ka sjellë një rënie të jetës së shqiptarëve, që jetojnë 7 vite më pak se qytetarët e BE-së. Berisha theksoi se Shqipëria ka përkeqësuar treguesit e shëndetësisë, si vdekshmëria foshnjore dhe numri i mjekëve, duke krahasuar situatën me vitet ’60. Shqiptarët paguajnë shumë më tepër për shëndetin se qytetarët e BE-së dhe shërbimi shëndetësor është i dobët, me standarde të ulëta dhe financim të papërfillshëm. Po ashtu, Berisha kritikoi mungesën e digjitalizimit dhe eksodin masiv të stafit shëndetësor për shkak të pagave të ulëta.

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi programin e Partisë Demokratike për reformën shëndetësore, duke u bazuar në modelin gjerman. Berisha premtoi dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e mundësive për konkurrencë në sigurimet shëndetësore. Lideri opozitar, Sali berisha kritikoi keqpërdorimin e fondeve për koncesione dhe checkup-e të panevojshme, duke theksuar nevojën për kujdes më të madh për të moshuarit dhe për depistimin e sëmundjeve.

Kreu i PD, Sali Berisha prezantoi një program për trajtimin e sëmundjeve neoplazike, duke propozuar krijimin e një fondi për ilaçe dhe pajisje përmes taksave mbi agjentët kancerogjenë dhe të ardhurave nga lotaria. Berisha iu drejtua me tone të ashpra kompanive farmaceutike për ndalimin dhe sugjeron bashkëpunim me Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin për uljen e çmimeve. Berisha premtoi investime në aparatura dhe rritjen e numrit të mjekëve, duke e cilësuar politikën aktuale si çnjerëzore. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e një mjedisi të shëndetshëm dhe kontrollit të sigurisë ushqimore.

Kryetari i PD, Sali Berisha e cilësoi Taulant Ballën dhe Lulzim Bashën si një “binom të pandarë”, duke i krahasuar me tymin dhe blozën, duke theksuar se është e pamundur t’i ndashë. Berisha u shpreh se thirrja e tij është për ata që janë të lirë dhe për ata që janë vetvetja, duke i ftuar njerëzit të bashkohen, pavarësisht mendimeve të tyre për të.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se objektivi kryesor i Partisë Demokratike do të jetë transparenca për veprimtarinë korruptive dhe kriminale të qeverisë aktuale, si dhe paraqitja e programit të saj për shpëtimin e Shqipërisë. Berisha theksoi se këto dy shtylla do të jenë fokus i veprimtarisë së PD-së në parlament. Për më tepër, Berisha e konsideroi këtë parlament si të pavlerë dhe premtoi se do të krijojnë një parlament që Shqipëria meriton.

Kryetari i PD, Sali Berisha propozoi që qytetarët shqiptarë në diasporë të mund të votojnë pa pengesa, duke theksuar se çdo dokument biometrik të cilitdo shteti ku ata ndodhen duhet të konsiderohet i vlefshëm për votim. Berisha theksoi se afati i skadimit të dokumenteve nuk duhet të jetë pengesë dhe se kartat e identitetit apo pasaportat biometrike, pavarësisht nga shteti, duhet të pranohen për votim.

Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi PS-në për frikë nga vota e diasporës dhe theksoi se çdo emigrant duhet të ketë të drejtë të votojë me çdo dokument të lëshuar në Shqipëri, pavarësisht skadimit. Berisha kërkoi që dokumentet biometrike të shtetit ku jetojnë emigrantët të pranohen për votim, duke e cilësuar përjashtimin e tyre një shkelje kushtetuese.

Kreu i PD, Sali Berisha mbështeti protestën për dy rastet e vrasjeve të Martin Canit dhe Egli Progës, duke akuzuar Edi Ramën dhe ministrin për minimizimin e dramave dhe manipulimin e informacionit. Berisha theksoi se protesta është e drejtë për të kërkuar përgjegjësi, ndërkohë që distancohet nga spekulimet për ngjarje të paqarta dhe thekson rëndësinë e respektimit të familjeve të viktimave.

Kryedemokrati, Sali Berisha denoncoi kontrabandën e naftës në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë për pjesëmarrje në këtë aktivitet të paligjshëm. Berisha theksoi se nafta kontrabandohet vetëm me ndihmën e qeverisë, pasi ajo hyn në vend përmes porteve të hapura dhe me anije. Berisha shtoi se kjo është një vjedhje ndaj pasurisë kombëtare, duke përmendur se nafta shitet më shtrenjtë për qytetarët, ndërkohë që disa individë përfitojnë nga kontrabandimi.

FJALA E PLOTË

Shërbimi shëndetësor i shqiptarëve ka njohur një degradim katastrofal dhe në disa tregues themelorë është rikthyer në vitet ’60.

Së pari, në qoftë se ky shërbim ka si qëllim kryesor luftën kundër sëmundjeve, zgjatjen e jetës dhe zhvillimin e shëndetit dhe promovimin e tij, sot qytetarët shqiptarë jetojnë 7 vite më pak se qytetarët e BE.

Së dyti, në njërin prej treguesve më themelorë të sistemit shëndetësor, por edhe të sistemit shoqëror në shoqëri, që është vdekshmëria foshnjore, Shqipëria është 3 herë më keq se Mali i Zi, se duhet të krahasohemi me rajonin, dhe dy herë më keq se vendet e tjera të rajonit, po të mos shkuar në vendet anëtare të BE.

Së treti, dhe aty ku Shqipëria ka zbritur në nivelin e viteve 1960, janë numri i mjekëve dhe infermierëve për frymë. Sot shqiptarët kanë 2.5 herë më pak mjekë dhe infermierë se qytetarët e BE. Në qoftë se në vitin 2013, qytetarët shqiptarë kishin një mjek për 600 banorë, sot qytetarët shqiptarë janë rrokullisur dhe kanë një mjek për 1100 banorë.

Shqiptarët vdesin sot nga sëmundjet e zemrës 1.8 herë më shumë se sa qytetarët e BE.

Ata vdesin nga sëmundjet malinje, dy herë më shumë se qytetarët e BE, për shkak të keqtrajtimit të këtyre sëmundjeve siç jeni njohur ju.

Shqiptarët kanë sot dy herë më pak spitale dhe shtretër spitalorë se vendet e tjera të rajonit dhe të BE.

Shqiptarët, të cilëve iu premtua shëndetësi falas, paguajnë sot për kujdesin e tyre shëndetësor, 5 herë më shumë se gjermanët, 3 herë më shumë se italianët. Paguajnë nga xhepi i tyre 60 përqind të shpenzimeve që nevojiten për sistemin shëndetësor.

Këto tregues dëshmojnë për një rrokullisje të madhe, një degradim të shpejtë dhe të rrufeshëm të sistemit shëndetësor.

Shqipëria që në vitin 2012-2013, renditej në një nga vendet me eksesin më të mirë në shërbimin shëndetësor, sot është vendi i eksesit të munguar dhe pabarazisë më të madhe të shërbimit shëndetësor.

Problematika të tjera të mëdha janë cilësia e dobët e shërbimit shëndetësor. Ka një mungesë të madhe, të ndjeshme, të standardeve të funksionimit të shërbimit shëndetësor, qoftë në sektorin publik, po edhe në atë privat.

Efikasiteti i punës së këtij shërbimi është shumë i ulët. Është zhvilluar këto vite një mafie e tmerrshme midis sektorit publik dhe privat, i cili ka vetëm një qëllim, grabitjen më të madhe të mundshme të pacientëve në Shqipëri.

Oferta për të është mediokër ose krejtësisht jocilësore.

Centralizimi në sistemin publik ka ekuivalent vetëm Korenë e Veriut.

Financimi është qesharak dhe i papërfillshëm.

Shqipëria financon shëndetësinë 2-3 herë më pak se vendet e rajonit.

Fola për burimet njerëzore, që kanë një eksod masiv, për shkak të rrogave të papranueshme.

Mungesë e plotë e dixhitalizimit. Mjekët shqiptarë janë të vetmit në Europë e shumë më gjerë, që mbushin kartela me dorë. kartela dixhitale që në vitin 2013 ishte e përfunduar gjithçka, u arkivua dhe vazhdohet me kartelën manuale me letër.

Sistemi i shkëmbimit të informacionit shëndetësor, i cili u nis me një kredi të qeverisë austriake prej 14 milionë euro, nuk sosi kurrë dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Partia Demokratike, qeveria e saj, do të ndërmarrë një reformë të thellë shëndetësore bazuar në modelin gjerman.

Ne punuam, ne nuk e konkluduam, por ne mbi këtë model arritëm gjer afër finalizimit të reformës në shëndetësi dhe ajo u zhbë me shpejtësi.

Politikat shëndetësore do jenë politika të qëndrueshme, të cilat kanë synime madhore zgjatjen e viteve të jetës dhe shtimin e cilësisë së jetës në këto vite.

Këto politika synojnë që qytetarëve shqiptarë t’u ofrohen shërbime plotësisht të përballueshme.

Ata nuk do mund të paguajnë kurrë më shumë se mesatarja e vendeve të rajonit.

Buxheti për shëndetësinë do dyfishohen.

Do ndërpriten menjëherë dhe do vendosen para ligjit të gjithë aktorët e krimit të koncesioneve në sistemin e shëndetësisë që i kushtojnë buxhetit 300 milionë euro.

Ndërkohë, nga të cilat përfitojnë vetëm mafia e tmerrshme e tyre.

T’u rikujtoj këtu se checkup-i në grupmoshat që bëhet dhe me regjistrat, në të cilat faktohet se gjysma e personave të regjistruar nuk kanë bërë kurrë checkup, është një gjobë e tmerrshme për qytetarët shqiptarë.

Kujdesi shëndetësor në rrafshin e depistimit do ketë një karakter krejt tjetër.

Do fillojë mbi një moshë të caktuar me patologji të caktuara, ashtu siç e kanë vende të tjera. Kurse checkup-i në Shqipëri përjashton moshat që kanë nevojë për checkup se nuk do të përballojë faturat.

Skema e sigurimeve shëndetësore do ndryshojë, do diversifikohet, nuk do jetë më monopol i një institucioni. Jo, ne do hapemi për institucione të tjera sigurimesh, përveç institutit aktual dhe kjo është e domosdoshme për garën e cilësisë së shërbimeve të ofruara.

Familja do jetë në epiqendër të këtij sistemi. Kujdesi për shëndetin familjar, për familjen, do jetë themeli i sistemit tonë.

Shëndeti i të moshuarve, me synim jetëgjatësinë e tyre, do jetë një drejtim tjetër themelor i shëndetësisë sonë.

Thashë edhe njëherë, Edi Rama me gruan e kushëririt të tij, Vilma Nushi, vjedhin dhjetëra milionë euro nga buxheti i shtetit për të bërë checkup tek persona që kush në botë nuk i bën. Por nuk ka asnjë kujdes për moshën e tretë, gjë e cila është unike.

Ka një dramë të madhe me sëmundjet neoplazike në Shqipëri si në asnjë vend tjetër. Ilaçet për këto sëmundje janë realisht shumë të kushtueshme. Por realisht ekzistojnë mundësi të pamohueshme për t’i garantuar plotësisht ato.

Dhe këto mundësi janë së pari krijimi i një fondi të veçantë nëpërmjet një takse mbi të gjithë agjentët kancerogjenë, që janë të njohur si të tillë. Siç është duhani psh, por jo vetëm.

Së dyti, është shumë normale që të ardhurat nga lotaria kombëtare, një pjesë e tyre të përcaktohen për këtë sëmundje. Thashë edhe njëherë, ilaçet kushtojnë, por për Shqipërinë e kanë bërë çmimin shumë më të lartë, përzënia e kompanive të mëdha nga Tirana sapo erdhën në pushtet. Në Tiranë kishin selitë kompanitë më të mëdha farmaceutike. Këto kompani përshtatnin çmime të pranueshme për buxhetin e Shqipërisë, për ilaçet që prodhonin për sëmundjet malinje. Dhe ato ishin plotësisht të përballueshme, pavarësisht sasisë, pasi janë specifike për forma të ndryshme, për të sëmurë të ndryshëm.

Opsion tjetër është një bashkëpunim midis institutit të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, praktikë kjo që bën të mundur porosinë në sasi më të madhe dhe rrjedhimisht me çmime më të arsyeshme.

Pra, nuk do lëmë praktikë pa ndjekur, që çdo i sëmurë, sepse sot në Shqipëri këta të sëmurë e kanë jetën dy herë më të shkurtër se në BE, pikërisht për këtë arsye. Për të mos thënë se elaborojnë teza çnjerëzore.

Nuk mund të ketë kurrë asnjë lloj mungesë në aparaturat e diagnozës dhe mjekimit të këtyre sëmundjeve.

Qeveria do investojë fuqishëm për ripërtëritjen e të gjitha aparaturave të sëmundjeve neoplazike.

Ju mund të imagjinoni, ato janë patologjia e tretë më e shpeshtë në Shqipëri. Sot ka vetëm 54 mjekë në Shqipëri që merren me këto sëmundje. Kjo merr fund. Do alokohen burimet, do 2-3 fishohen burimet njerëzore për trajtimin e tyre.

Kjo praktikë që merr Edi Rama është një praktikë, primitive, që bazohet në parime çnjerëzore.

I kam dëgjuar në studio përfaqësuesit e tyre, për të cilat ata duhet të ndëshkohen në mënyrën më të rreptë. Këto janë sëmundje të mjekueshme, të trajtueshme. Beteja me to është heroizmi më i madh i njeriut dhe duhet që shëndetësia të jetë krah të sëmurit me të gjithë potencialin e saj.

Natyrisht një mjedis jete i shëndetshëm, një garanci e madhe për ushqimet, të cilat janë sot më të pasigurta se kurrë.

Përdorimi i substancave të ndaluara toksike dhe patogjene merr fund pasi kontrolli i sigurisë ushqimore do jetë një nga drejtimet themelore për ruajtjen e shëndetit të shqiptarëve.

Në vija të përgjithshme, ky do jetë programi i ardhshëm, me të cilin ne synojmë të shënojmë një përmbysje të situatës aktuale, të degradimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Dhe jam i sigurt se brenda një mandati, objektivat e shpallura do realizohen plotësisht.

Natyrisht programi ynë, i përgatitur nga ekspertët më të mirë, do jetë objekt i një diskutimi të gjerë në rrethet mjekësore, dhe jo vetëm, para se të marrë formën përfundimtare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat