back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 28 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaBerisha publikon dokumentin/ Balluku kaloi aksionet e aeroportit te Pacolli

Berisha publikon dokumentin/ Balluku kaloi aksionet e aeroportit te Pacolli

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një dokument dhe ka komentuar ashpër aferën e aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar si një ngjarje që përfshin jo vetëm dy ortakë privatë, por edhe interesa të shtetit dhe qeverisë.

Sipas Berishës, aeroporti i Vlorës falimentoi para se të fillonte funksionimin, ndërsa procesi i ndërtimit dhe menaxhimit të tij është bazuar mbi një korrupsion të thellë. Berisha argumenton se mediat dhe opinioni publik kanë parë vetëm një konflikt mes dy aksionerëve – Bexhet Pacolli dhe Valon Shehu – por sipas tij, kjo është vetëm një pamje e jashtme.

“Afera shpërtheu kur Bexhet Pacolli u shfaq në zyrën e kryeministrit Rama. Ky është moment i pazakontë, sepse tregon implikimin e drejtpërdrejtë të qeverisë në një konflikt që duket privat,” tha Berisha.

Berisha ka publikuar një dokument ku ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur për kalimin e aksioneve nga kompania turke e specializuar në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve tek Mabco Construction, një kompani e Pacollit. Ish-kryeministri argumenton se ky akt ka rrëzuar tenderin origjinal, pasi kompania turke kishte ekspertizën e nevojshme për ndërtimin e aeroportit, ndërsa Mabco Construction nuk kishte përvojë të tillë.

“Lubia, jo vetëm firmos kontratën për një vlerë 140 milionë euro, por një vit më vonë firmos kalimin e aksioneve nga kompania turke tek Pacolli. Që nga ky moment, tenderi rrëzohet. Çdokush mund të dyshojë se aksionet e aeroportit janë në fakt të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut,” tha Berisha.

Ish-kryeministri shtoi se interesa të tjera kriminale lidhen me Taulant Ballën dhe dhëndrin e Ballukut, ndërsa shpjegoi se konflikti mes Pacollit dhe Valonit është vetëm një maskë për të fshehur implikimin e shtetit.

Berisha gjithashtu kritikon mënyrën se si është menaxhuar projekti, duke thënë se nuk duhej ndërtuar një aeroport me 100 milionë euro që nuk kishte garanci funksionimi, por gradualisht, me një projekt më të vogël dhe zgjerim të mëtejshëm sipas nevojës, siç është praktikuar në raste të tjera, përfshirë Rinasin.

Deklarata e ish-kryeministrit vjen në një moment kur publikisht janë shfaqur konflikte midis aksionerëve privatë, por sipas Berishës, ky është vetëm një pretekst për të fshehur ndërhyrjen e qeverisë dhe përfitimet e personave të lidhur me të.

Berisha ka kërkuar një hetim të gjithanshëm, duke theksuar se angazhimi intensiv i zyrtarëve të qeverisë në këtë projekt tregon se pas një ngjarjeje që duket private fshihen interesa shtetërore dhe politike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat