Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se qëndrimi i tij në parlament është i diktuar nga kartelet e drogës. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se në Shqipëri po konsolidohet një “narkoshtet” dhe se vendi është kthyer në parajsë për pastrimin e parave të krimit.
Berisha dënoi aktin e dhunës ndaj deputetit demokrat Xhelal Mziu, duke e cilësuar atë “terrorist” dhe duke akuzuar autoritetet për heshtje të qëllimshme. Ai tha se kjo është dëshmi se “narkoterroristët shqiptarë dhe ndërkombëtarë kanë kapur institucionet”.
Duke iu referuar dokumenteve që, sipas tij, janë zyrtare, Berisha përmendi emrin e Diego Benitez, një shtetas nga Paraguaji, të cilin e cilësoi “kumbar kryesor që menaxhon 14 klane shqiptare të drogës dhe që qarkullon 350 ton kokainë në vit”. Ai shtoi se këto lidhje shtrihen në Paraguaj, Uruguaj, Brazil dhe Bolivi, ndërsa përmendi edhe emra të tjerë që sipas tij lidhen me kartelet.
“Janë narkoterroristët shqiptarë ata që kontrollojnë çmimin e kokainës në Europë, duke u bërë furnizues kryesorë. Shqipëria është shndërruar në parajsën e tyre për larjen e parave që trupëzohen në kulla”, tha Berisha.
Kreu i opozitës ritheksoi se beteja politike kundër qeverisë hyn në një fazë të re, duke akuzuar Ramën për lidhje të thella me kartelet ndërkombëtare të drogës.