Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e pezullimit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në një komunikim video në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi qëndrimin e Ramës si të paprecedentë dhe të rrezikshëm për shtetin ligjor, duke e akuzuar kryeministrin se po shpërfill vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po kërcënon drejtpërdrejt edhe perspektivën europiane të Shqipërisë.
Sipas Berishës, Rama, i tronditur nga barazimi 4 me 4 në Gjykatën Kushtetuese, po përpiqet ta relativizojë vendimin, duke mashtruar opinionin publik se në botën demokratike nuk ka raste kur gjykatat kanë pezulluar ministra apo drejtues të lartë ekzekutivë.
“Ky është një mashtrim i madh. Në Europë, në rajon dhe në botë, gjykatat kanë pezulluar jo vetëm ministra, por edhe kryeministra. Rama nuk sheh këtu çështjen e Ballukut, por sheh rrezikun e pezullimit të tij personal”, u shpreh Berisha.
Kreu i opozitës deklaroi se reagimi i Ramës nuk lidhet me mbrojtjen e një anëtareje të qeverisë, por me frikën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon precedent që mund të çojë në pezullimin e vetë kryeministrit.
Berisha shkoi më tej duke akuzuar Ramën se në deklaratat e tij ka kërcënuar edhe Bashkimin Europian, duke e paraqitur veten dhe qeverinë si “alternativën e vetme” për integrimin europian të Shqipërisë, pavarësisht shkeljeve të shtetit ligjor.
“Sot Rama i tha Europës se alternativa e vetme për Shqipërinë janë hajdutët e mëdhenj, ata që asgjësojnë shtetin ligjor dhe nuk njohin ligj e Kushtetutë”, deklaroi Berisha.
Ai paralajmëroi gjithashtu se sipas informacioneve që qarkullojnë në media, Rama pritet të përballet me reagime serioze nga partnerët europianë nëse vijon të pengojë sistemin e drejtësisë dhe të minojë pavarësinë e institucioneve.
Në këtë kontekst, Berisha e cilësoi situatën aktuale si një moment kritik për demokracinë në vend, duke e quajtur sjelljen e kryeministrit një “grusht shteti brenda shtetit”.
Në përfundim të deklaratës së tij, kreu i PD-së i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar nga opozita, duke e cilësuar atë si një reagim qytetar për mbrojtjen e Kushtetutës, shtetit ligjor dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë.
“Secili duhet të protestojë jo vetëm për veten, por për fëmijët e tij dhe për të ardhmen europiane të vendit. Vetëm respektimi i ligjit dhe Kushtetutës është rruga e vetme për integrimin në Bashkimin Europian”, përfundoi Berisha.



