Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër pas zhvillimeve në seancën e fundit të Kuvendit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për një skenar të parapërgatitur dhe për shkelje të vullnetit të qytetarëve.
“Natyrisht ky zhvillim dramatik meriton dhe duhet të marrë përgjigjen më të fortë dhe më të fuqishme. Jo në fjalë, fjalët nuk kanë aspak vlerë, por në veprime, në veprime, në veprime,” tha Berisha.
Ai theksoi se veprimet e Ramës kanë shkelmuar vullnetin e shqiptarëve që morën pjesë në votim:
“Me aktin e tij, ai faktikisht shkelmoi, shumëzoi me zero, asgjësoi vullnetin e të gjithë shqiptarëve. Shpalli luftë të hapur, me një skenar të përgatitur, bashkë me kreun e parlamentit, që është një individ skllav i krimit dhe korrupsionit të vet dhe që tregoi se është i aftë të zbatojë çdo skenar të gatshëm që vjen nga Edi Rama dhe banda e tij.”
Deklaratat e Berishës pasqyrojnë tensionet e forta politike që pasuan votimin e programit qeverisës dhe përbërjes së re të kabinetit, duke nxitur një debat të thellë mes mazhorancës dhe opozitës.



