Në një deklaratë të fortë për mediat, ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj qeverisë Rama, duke u ndalur te raporti i Komisionit Europian, të cilin e cilëson si një damkosje për regjimin aktual në Shqipëri.
“Shpreh shqetësim të madh për ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe presionet në sistemin juridik. Vetëm këto dy fjali janë prova të qarta të zëvendësimit në këtë vend të shtetit ligjor me narkoshtetin e Edi Ramës,” tha Berisha, duke theksuar se raporti i Brukselit ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin e anëtarëve të emëruar në sistemin e drejtësisë.
Ai përmendi problematika konkrete si emërimet jomagjistrate në KLGJ dhe KLP, duke akuzuar qeverinë se i ka kthyer këto institucione në vegla të pushtetit.
Sipas Berishës, raporti i BE-së kërkon ndalimin përfundimtar të projekteve të debatueshme si hidrocentrali në Skavicë dhe marrja e ujërave të Shushicës në dëm të qytetarëve të Dibrës dhe Vlorës. Ai shtoi se raporti është një dokument që qartësisht tregon dështimet dhe devijimet e qeverisë Rama nga standardet europiane.
“Edi Rama me gjithë lobimet, telefonatat dhe aktet primitive, nuk arriti të ndryshojë dot raportin. Ai është një akt i rëndë, që denoncon drejtëpërdrejt abuzimet me drejtësinë dhe burimet natyrore të vendit,” tha Berisha.
Në fund të deklaratës së tij, ai u shpreh se “koha e mashtrimeve ka marrë fund” dhe se “ora e së vërtetës po afron”.
Raporti i Komisionit Europian pritet të diskutohet zyrtarisht në muajin korrik, pasi është miratuar tashmë nga Komiteti për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian (AFET).