Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar ngjarjet e fundit kriminale në Shkodër, duke i cilësuar si rezultat të veprimeve të grupeve kriminale që janë të lidhura me pushtetin.
“Shkodra është në duart e krimit! Bandat kanë licencë për vrasjet nga Edi Rama. Pak kohë më parë ndodhi një masakër që mori katër jetë, dhe tani kemi një tjetër. Para katër ditësh u vra një tjetër person. Të gjitha këto ngjarje janë të lidhura me njëra-tjetrën. Thuhet se disa nga këta ishin aktivë edhe në fushatën elektorale të Edi Ramës”, tha Berisha.
Ai shtoi se këto grupe kriminale janë përdorur për qëllime elektorale dhe tani konsiderohen “sundimtarë të vërtetë të Shkodrës”. Deklarata e tij erdhi pas një atentati në një lokal, ku një kamarier u plagos rëndë gjatë ngjarjes.
Berisha theksoi se përdorimi i krimit për qëllime politike është i papranueshëm dhe se qyteti po mbahet nën ndikimin e grupeve kriminale të lidhura me institucionet shtetërore.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve vijojnë nga Policia e Shtetit.