Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në një deklaratë për media tha se shqiptarët panë një kontrast të jashtëzakonshëm në lista mes kandidatëve të opozitës dhe atyre të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, duke u përqendruar në vlerat e përkushtimit dhe eksperiencës që ata përfaqësojnë. Berisha theksoi se kjo aleancë përbëhet nga individë që kanë luftuar kundër narkoshtetit dhe mafies, si dhe që kanë mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe sovranitetin e vendit. Në këtë kuadër, Berisha vlerësoi kandidatët që janë zgjedhur përmes një konsulte demokratike të anëtarëve të PD, dhe jo nga struktura mafioze. Ai gjithashtu tha se koalicioni është një faktor i rëndësishëm i fitores më 11 maj dhe përmban ekspertë të njohur nga fusha të ndryshme, duke përfshirë botën akademike, biznesin dhe shoqërinë civile.
Kryedemokrati, Sali Berisha, sulmoi ashpër listën e kandidatëve të kryeministrit Rama, duke i quajtur “Skapistë”, duke i përshkruar si individë të lidhur me korrupsionin dhe vjedhjet. Berisha theksoi se këta individë janë të mbrojtur vetëm sepse kanë bashkëpunuar me Edi Ramën në vjedhje dhe korrupsion. Berisha e përshkroi listën e Ramës si një grup që kërkon votat e qytetarëve vetëm për të mbrojtur veten nga drejtësia, duke përfaqësuar “mafinë” dhe “Skapin.” Sipas Berishës, kjo është një listë që është larg interesave të qytetarëve dhe është e mbushur me individë të korruptuar që synojnë vetëm mbijetesën politike dhe mbrojtjen e interesave të tyre personale.
Kryetari i PD, Sali Berisha kritikon ashpër edhe listën e hapur të kandidatëve të Edi Ramës, duke e quajtur atë një “listë të patronazhistëve” dhe “hajdutëve.” Berisha iu drejtua qytetarëve të kërkojnë informacion për emrat e kandidatëve në internet. Berisha tha se Rama mund të flasë shumë dhe të përpiqet të mbulojë problemet e listës, por që ato nuk do të fshihen dhe do të përballen me dënimin e votës në 11 maj, dita që sipas tij do të shënojë ndëshkimin e Edi Ramës dhe koalicionit të tij.
Lideri demokrat, Sali Berisha sqaroi gjatë një deklarate për media se disa kandidatë nuk janë larguar nga lista e hapur për shkak të mungesës së sigurisë, por kanë preferuar të vazhdojnë jetën e tyre private. Ai theksoi se shumica e deputetëve kanë pranuar verdiktin e listës dhe se beteja kundër Edi Ramës zhvillohet brenda “Aleancës për Shqipërinë Madhështore,” e cila është aleanca më e fuqishme.
Në përfundim të deklaratës së tij për media, Kryetari i PD, Sali Berisha publikoi disa statistika për listën e kandidatëve, duke theksuar se nga 140 kandidatura, 85 janë burra dhe 55 janë gra, që përbën 39%. Berisha theksoi gjithashtu se 18% e kandidatëve janë të rinj (25 kandidatë), dhe nga diaspora janë 7 përfaqësues.
DEKLARATA E PLOTË
Listat janë dhe kryefjala e ditës.
Shqiptarët, pra, panë mbrëmë kontrastin e jashtëzakonshëm midis kandidatëve të opozitës të ‘Aleancës për Shqipërinë Madhështore’.
Ndër ta, politikanë me eksperiencë dhe të përkushtuar, promotorë të kauzave të drejta dhe të mëdha të qytetarëve shqiptarë panë në listën e koalicionit e ‘Aleancës për Shqipërinë Madhështore’. Djem, vajza, burra dhe gra që kanë bërë një qëndresë epike gjatë këtyre 4 viteve të narkoshtetit, dhe jo vetëm narkoshtetit, por dhe mafies më të rrezikshme të planetit, mafies sorosiane.
Betejë kjo, për dinjitetin kombëtar.
Betejë kjo, për familjen dhe vlerat e saj. Betejë kjo, për sovranitetin e vërtetë të brendshëm të një vendi.
Shqiptarët, panë mbrëmë listën e përfaqësuesve të tyre, të cilët në një seri të pafundme denoncimesh i bënë autopsi regjimit më të korruptuar të Europës, dhe ndër më të korruptuarit në botë. Bënë avokatinë e interesit publik në parlament dhe kudo.
Shqiptarët, panë një garë mahnitëse. Kandidatët e tyre nuk erdhën nga bodrumet e shtëpive mafioze. Nuk erdhën nga Dubai, Aruba apo qendra të tjera të rrezikshme të mafies shqiptare, por erdhën nga vota nga konsulta demokratike e anëtarëve të PD.
Shqiptarët, panë në listën e PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore një koalicion më të gjerë që ka ndodhur ndonëjherë, koalicion i cili është faktor madhor i fitores më 11 maj, pasi anëtarët e kësaj aleance përfaqësojnë mbi 26% të votave të të gjithë shqiptarëve, pa PD këtu.
Shqiptarët, panë në këto lista ekspertë ndër më të shquarit nga bota akademike, nga biznesi, nga institucione të pavarura të shoqërisë civile, nga diaspora.
Kurrë ndonjëherë një listë e tillë, kaq përmbajtësore, kaq cilësore nuk është paraqitur para elektoratit shqiptar.
Ndërkohë, shqiptarët panë listën e Skapit në krahun tjetër. Të gjithë ministrat me dosje kuintalëshe mbi shpinë u futën njëri pas tjetrit në listën e mbrojtur, për shkakun e vetëm se kanë vjedhur bashkë me Edi Ramën.
Se ata që nuk kanë vjedhur bashkë me Edi Ramën, por kanë ngrënë dardha veçmas, ata morën udhët, morën urët. Kjo është e vërteta.
Ministrat, si Lubia, si Mazniku 1000 euro bifteku. Si Lubia, që ka administruar 12 miliardë euro të shqiptarëve kanë avulluar në drejtime më të paditura.
Klosi, që është simboli i bixhozit, dhe e kuptoni ju vetë se çfarë do të thotë të jesh simbol i bixhozit, që le edhe lëkurën tënde peng.
E keni lexuar ju, ’24 orë nga jeta e një gruaje’ të Stefan Zvajkut?
Iu lutem qytetarëve, lexojeni këtë tregim për të patur idenë e plotë se çfarë përfaqëson Blendi Klosi, Blendi i Bixhozit.
Shalsi, që sa shkoi përgjaku Kukësin. Shalsi, që iu qahej të tjerëve se mbetën tek vjehrra 8 apartamente, kur iku nga bashkia.
Listë të mbyllur. Po Çuçi, që i detyrohet familjarisht 10 milionë euro të vjedhura, të përvetësuara nga Delina, që në rast se taksapaguesit amerikanë kërkojnë t’iu kthehen paratë, këto i konvertohen në vite burgu.
Po Vengu? Dezertori i NATO-s. Një nga anëtarët e çetës 5B. Edhe ai në mbrojtje, sepse kreu detyrën me ngarkesat e kokainës dhe të tjera.
Po Nikua? Peleshi, mbi të cilin rëndojnë afera nga më të rënda, firma ndër më të zezat. Qytetarët korçarë e kanë të qartë, se kush ka firmosur në vendin e Edi Ramës për djegësin e Elbasanit. E garantoj Nikon se, edhe mandat mbi mandat të marrë, drejtësisë nuk do i shpëtojë.
Jo, jo dale, se këto u injoruan mbrëmë në komente, por do i themi gjërat troç!
Njeriu që do ta mbulonte me blozë për xhepat e vetë Korçën me termocentrale. Po çfarë është lista e mbyllur e Edi Ramës?
Lista e mbyllur e Edi Ramës është lista e Skapistëve, e atyre që hyjnë e dalin në Skap dhe që shkojnë me paturpësinë më të madhe për t’u kërkuar votën qytetarëve për t’u mbrojtur nga Drejtësia.
A është kështu, apo jo?
Më thoni mua. Po pse, vetëm Anila Denaj do të shpqrlajë të gjithë këtë qeveri të korruptuar? Nuk mund të ndodhë kjo.
Ajo është mëkatare e padiskutueshme, por absolutisht Mirela është jo më pak. Ju them unë ju.
Pra, lista e mbyllur është lista e mafies, është lista e Skapit e Edi Ramës.
Të shkojmë tek lista e hapur. Të na thotë pak, çfarë është lista e hapur? Hajdutë dhe patronazhistë.
Po Ceno Klos të dytë nuk bën. Po ta krahasos Ceno Klosin me Petro Koçin, të del Petroja qelibar, pak me thënë.
E kuptoni ju, apo jo?
Pra, lista tjetër është patronazhistë dhe pastaj të tjerë kërkoni në gugëll. Mos harroni, kur t’ua dëgjoni emrat, klikoni në gugëll se çfarë janë.
Mungesë totale respekti ndaj qytetarëve shqiptarë dhe zgjedhësve shqiptarë.
Le të përpëlitet sa të dojë. Le të flasë me veten nga mëngjesi gjer në darkë, atë monologun e mëngjesit ta vazhdojë gjithë ditën, por Edi Rama me asgjë nuk mund të mbulojë problematikat e tmerrshme të listës që iu paraqiti shqiptarëve.
Ato do i mbulojë 11 maji, dita në të cilën shqiptarët do ndëshkojnë me votën e tyre Edi Ramën dhe shpurën e tij.
Faleminderit!