Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sulmet e tij ndaj SPAK, duke theksuar se ato nuk lidhen me veprimet personale ndaj tij, por me amnistimin e dosjeve më flagrante të krimit elektoral, konkretisht dosjeve 338 dhe 184.
Berisha shpjegoi se këto dosje, të bazuara në procedura ligjore dhe regjistrime gjyqësore, u amnistuan nga prokurorët e SPAK, duke i dhënë, sipas tij, një “kazmë në themelet e pluralizmit” dhe licencë për shndërrimin e krimit në votë. Ai e quajti këtë një kërcënim ndaj demokracisë dhe pluralizmit në vend.
“Kjo ishte licencë për Edi Ramën që të bëjë ç’të dojë me zgjedhjet, duke i mohuar opozitës të drejtën për votë të lirë. Këtu nisi beteja ime me SPAK, një vit para se të merren masat ndaj meje,” tha Berisha.
Ai kritikon veprimet e zyrtarëve të SPAK, duke përmendur emra konkretë, si Altin Troplini dhe Altin Dumani, për të cilët tha se mbrojnë persona të implikuar në aktivitete të paligjshme dhe përfshihen në amnistime të dyshuara.
Berisha shtoi se, ndërsa respekton punën e prokurorëve dhe gjykatësve që zbatojnë ligjin, nuk mund të heshtë për raste korrupsioni apo shkeljesh ligjore që ndikojnë në pluralizmin dhe zgjedhjet. Ai përmendi edhe rastin e Irena Gjokës, duke theksuar se mbrojtja e saj nga disa zyrtarë është një shembull i përfshirjes së individëve të papërshtatshëm në institucione.
“Kjo është arsyeja pse unë nuk mund të hesht dhe nuk do të tërhiqem nga e vërteta. Shqiptarët meritojnë prokurorë që zbatojnë ligjin, jo që bashkëpunojnë me krimin,” përfundoi Berisha.



