Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sqaroi se kërkesa e opozitës për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nuk është pjesë e ndonjë aleance me kryeministrin Edi Rama. Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se PD ka kërkuar me kohë largimin e Veliajt dhe se qytetarët janë dëshmitarë të 46 protestave kundër tij dhe të kërkesave të vazhdueshme në këshillin bashkiak.
“Nëse Rama vendos të bashkojë votat me opozitën për shkarkimin e Veliajt, nuk është ne që po bashkojmë forcat, por ai që po shfrytëzon kërkesën tonë për qëllimet e tij,” tha Berisha. Ai shtoi se qëndrimi i PD ndaj kryeministrit mbetet i pandryshuar dhe paralajmëroi se sfidat e ardhshme me “Lubinë” dhe çështjet e tjera do të trajtohen nga forumet e partisë dhe aleatët.
Berisha e përshkroi këtë si një situatë ku Rama po përpiqet të “gropojë përfundimisht” Veliajn, duke nënvizuar se opozita nuk po ndryshon strategjinë e saj, por vetëm do të përmbushë kërkesën e publikut për përgjegjësi.



