Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër Komisioneren për Zgjerim në Bashkimin Europian, Marta Kos, lidhur me deklaratën e saj për zgjedhjet e 11 majit.
Berisha i cilësoi deklaratat e Kos si “pasionante” dhe shprehu kënaqësinë që, sipas tij, BE nuk i ka mbështetur ato. Ai akuzoi institucionet ndërkombëtare për fokus të tepruar tek çështjet formale, ndërsa theksoi se shqetësimi kryesor duhet të jetë për luftën kundër krimit dhe organizatave kriminale në vend.
“Shqetësimi dhe krimi në vend kanë marrë përmasa botërore. Të gjithë ata që i lexuan kuptuan se shqetësimi më madhor i tyre për shqiptarët dhe amerikanët janë organizatat kriminale dhe bashkëpunëtorët e tyre”, deklaroi Berisha.
Ai tha gjithashtu se përfituesit e karteleve të drogës janë figura të lidhura me qeverinë shqiptare, duke përmendur Edi Ramën si një prej tyre. Në lidhje me deklaratën e Komisioneres Kos, Berisha theksoi se institucionet e BE dhe ambasadorët e saj e kanë lënë deklaratën pa koment, duke përshëndetur këtë qëndrim.
Berisha përfundoi duke theksuar se të gjithë duhet të flasin mbi zgjedhjet duke u bazuar tek informacioni zyrtar, jo mbi deklarata personale apo pasionante.



