Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, zhvilloi konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarët, e cilësoi vitin 2025 si ‘kulmin e narkoregjimit të Edi Ramës’ dhe si vitin më grabitqar ndaj qytetarëve shqiptarë në më shumë se tre dekada. Sipas tij viti 2025 u karakterizua nga një degradim i plotë i shtetit ligjor, shndërrimi i zgjedhjeve të 11 majit në një farsë elektorale dhe kapja totale e institucioneve nga ajo që ai e quajti ‘regjim mafioz’.
‘Viti 2025 ishte një vit, në të cilin qytetarët shqiptarë u vodhën më shumë se kurrë në 35 vite, më shumë se kurrë në ekzistencën e tyre.’ Sipas tij, gjatë këtij viti ‘shpërthyen në të katër anët ujërat e zeza të regjimit mafioz të Edi Ramës’, duke e bërë të dukshëm, sipas Berishës, karakterin kriminal të pushtetit aktual.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha i cilësoi zgjedhjet e 11 Majit si një farsë të plotë elektorale: ‘Edi Rama shndërroi para shqiptarëve dhe botës procesin zgjedhor në një farsë të plotë elektorale. Transformoi në një strofull të krimit parlamentin e vendit.’ Ai akuzoi Ramën për shkelje të hapur të parimeve demokratike dhe për bllokim të opozitës: ‘Hoqi çdo maskë, bllokoi çdo hapësirë në parlament për opozitën shqiptare dhe dëshmoi se është i gatshëm të zbatojë pikë për pikë platformat që zhdukën opozitën nga Shqipëria.’
Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha theksoi se viti 2025 u shoqërua edhe me kritika dhe damkosje ndërkombëtare ndaj qeverisë shqiptare: ‘Ky vit u karakterizua nga një denoncim ndërkombëtar në një seri rezolutash të firmosura nga partitë e qendrës së djathtë dhe të djathta në mbarë botën.’ Ai përmendi institucione si Kongresi i SHBA, Parlamenti Europian, Këshilli i Europës dhe OSBE, duke deklaruar se: ‘Edi Rama u damkos në mediat botërore dhe në institucionet më të rëndësishme të planetit.’
Në fokus të deklaratës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha ishin akuzave për aferat korruptive, veçanërisht tuneli i Llogarasë, inceneratorët dhe unaza e Tiranës. Berisha u shpreh se, ‘Afera e tunelit të Llogarasë nuk është më e vogël se afera e djegësit të Tiranës.’ Ai akuzoi SPAK-un dhe prokurorë të veçantë për mbrojtje politike të kryeministrit.
‘Altin Troplini amnistoi djegësin e Tiranës dhe 130 milionë euro të qytetarëve shqiptarë.’, theksoi Berisha. Sipas tij, dosjet hetimore nxorën në pah përgjegjësinë direkte të kryeministrit: ‘Dosjet e Lubi Ballukut dëshmuan se autori i vërtetë i vjedhjes 93 milionë euro me tunelin e Llogarasë është Edi Rama.’
Gjatë konferencës, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e cilësoi AKSHI-n si aferën më të rëndë të vitit. ‘Afera më e zezë e të gjitha të zezave është AKSHI i familjes Rama.’ Ai akuzoi se tenderat publikë janë përqendruar në kompani të lidhura familjarisht dhe përmes prestanomeve: ‘93 përqind e të gjitha tenderave fitoheshin nga dy kompani, kompani të Armand Frangut.’
Duke ironizuar justifikimet e Edi Ramës, kreu i demokratëve Sali Berisha tha se, ‘Edi Rama u tha shqiptarëve se kur vjedh, nuk vjedh, por përdor, merr në përdorim.’ Një tjetër akuzë e fortë lidhej me bllokimin e kontrollit mbi kadastrën: ‘Edi Rama prej pothuaj një viti ka bllokuar kadastrën nga çdo lloj kontrolli.’
Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi gjatë konferencës se, kërcënime mafioze janë përdorur ndaj institucioneve shtetërore dhe se: ‘Rumi i vërtetë i kadastrës është Edi Rama me Ergys Agasin dhe bandën e tij.’
Gjatë konferencës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, ‘zhvillimet e muajve të fundit, 11 Maji dhe zhvillimet në vazhdim, provuan para çdo shqiptari se Edi Rama ka zero legjitimitet në postin e tij. Se ai është një kriminel, një delinkuent që e ka vendin në bankën e të akuzuarit, para drejtësisë.
Se ai po kryen krimin e shëmtuar jo vetëm të vjedhjes së qindra e qindra milionë, në mos miliarda siç është afera e Portit të Durrësit, por tani u thotë shqiptarëve se do u vjedh se drejtësia nuk ekziston. Çka përbën një kushtrim të madh për çdo shqiptar dhe unë i them Edi Ramës, prite zemërimin popullor. Të garantoj se shumë shpejt do bjerë mbi ty’.

FJALA E PLOTE:
Mbyllim këtu sot komunikimin me mediat, dhe nëpërmjet tyre me qytetarët, dhe është traditë të bëjmë një bilanc të shkurtër të këtij viti kulmor të narkoregjimit të Edi Ramës.
Viti 2025 ishte një vit, në të cilin qytetarët shqiptarë u vodhën më shumë se kurrë në 35 vite, më shumë se kurrë në ekzistencën e tyre.
Këtë vit shpërthyen në të katër anët ujërat e zeza të regjimit mafioz të Edi Ramës.
Viti 2025 ishte viti në të cilin bastardi i xhelatëve të regjimit të Enver Hoxhës, konkretisht Kristaq Ramës dhe Spiro Kolekës që firmosnin varjen në litar të kundërshtarëve politikë dhe kërkonin përdorimin e tankeve dhe topave ndaj studentëve kundër vendosjes së pluralizmit politik, shndërroi para shqiptarëve dhe botës procesin zgjedhor në një farsë të plotë elektorale.
Transformoi në një strofull të krimit parlamentin e vendit.
Shkelmoi çdo parim të një shteti demokratik.
Edi Rama hoqi çdo maskë, bllokoi çdo hapësirë në parlament për opozitën shqiptare, dëshmoi se pasardhësi i denjë i xhelatëve të regjimit komunist është i gatshëm të zbatojë në këtë vend pikë për pikë ato platforma që zhdukën nga Shqipëria opozitën.
Por, ky vit gjithashtu u karakterizua nga një denoncim ndërkombëtar në një seri rezolutash të firmosura nga partitë politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në mbarë botën, në të cilat damkoset narkodiktatori Edi Rama, farsa e tij elektorale, përdorimi i Altin Troplinit dhe institucioneve të tjera kundër pluralizmit politik dhe opozitës.
Ky vit shënoi damkosjen e Edi Ramës në mediat botërore por edhe në institucionet më të rëndësishme të planetit siç është Kongresi i SHBA, Asambleja parlamentare i këshillit të Europës, parlamenti Europian dhe Asambleja Parlamentare e OSBE, institucione këto themelore në Europë dhe botë të rendit demokratik.
Edi Rama hoqi çdo maskë, doli siç është hajduti më i madh në historinë e kombit shqiptar.
E vërteta është se afera e tunelit të Llogarasë në vetvete nuk është më e vogël se afera e djegësit të Tiranës apo djegësve në Tiranës.
Por në rastin e hetimit të djegësve, ai bëri kurban Arben Ahmetajn, njeriun që kishte refuzuar 5 herë të firmos projektin e djegësit të Tiranës, por që pavarësisht nga kjo, arriti me Troplinin e tij në Skap të lëshojë urdhër-arresti dhe të mos merret asnjë ditë në pyetje si nismëtar, si organizator, si ekzekutor i projektit të djegësit të Tiranës, zhdukjes së 130 milionë eurove pa nam dhe nishan në kontot bankare të tij dhe të Erion Veliajt.
Por në rast se Altin Troplini, një mercenar i shpifur i Edi Ramës amnistoi në këtë mënyrë djegësin e Tiranës dhe 130 milionë euro të qytetarëve shqiptarë, në fakt rreth 400 milionë po të marrim edhe djegësit e tjerë, një prokuror tjetër nuk ndoqi rrugën e tij në aferën e tunelit të Llogarasë dhe ndërtimin e unazës së Tiranës, të denoncuara dhjetëra herë këtu para jush, por mori përsipër të zbatojë ligjin.
Në zbatim të ligjit ai shkoi direkt te Edi Rama sepse Lubia nuk është gjë tjetër në atë aferë veçse një hajdute e Edi Ramës, që vodhi bashkë me të, por zbatoi urdhrat e tij.
Dosjet e Lubi Ballukut nxorën para shqiptarëve dhe botës fytyrën e vërtetë të hajdutit Edi Rama.
Ato dëshmuan se autori i vërtetë i vjedhjes 93 milionë euro me tunelin e Llogarasë është Edi Rama.
Ato dëshmuan se lotet e unazës së Tiranës, përveç Lubisë, është dora e zezë e Edi Ramës që ndante tenderat.
Ndaj Edi Rama në një vendim antikushtetues, antiligjor, në një provokacion të ulët për çdo shqiptar që ka paguar taksat e tij dhe janë vjedhur nga Lubi Balluku dhe Edi Rama, në një provokacion të padëgjuar ndonjëherë, bllokoi kërkesat e prokurorisë me gjykatës të padenjë, të cilët shkelmojnë Kushtetutën njëlloj sikur të ishin organizatë partie e partisë së krimit.
Dhe tani nga zyra e tij, në mënyrë identike me një hajdut të papenduar, deklaron se 16 mijë faqet e sjella nga prokuroria nuk kanë asgjë për Lubi Ballukun, prandaj kthejini mbrapsht se nuk hiqet imuniteti i saj.
Aferat janë të panumërta të këtij viti, por afera më e zezë e të gjitha të zezave është AKSHI i familjes Rama.
Është AKSHI i kësaj familje, dhe duhet të mësojnë shqiptarët një të vërtetë këtu.
Gjer dy vite më parë, fituesi i të gjitha tenderave de facto ishte Armand Frangu, kunati i Linda Ramës, baxhanaku i Edi Ramës.
Por pas zbulimit, pas regjistrimit, pas vërtetimit të ndërhyrjes së bashkëshortes së kryeministrit, u veprua me prestanome dhe 93 përqind të të gjitha tenderave të kopshtit privat të Edi Ramës fitoheshin nga dy kompani, të dyja në fakt kompani të Armand Frangut.
Kompania e Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit.
Kompani të cilat siguruan fitime përrallore pa bërë, njëlloj si në djegësin e Tiranës, asnjë tullë, asnjë veprim.
A mund të imagjinoni ju një kompani që regjistrohet me 1 mijë euro dhe përfundon pas 4 muajsh me dhjetëra milionë euro në kontot e saj bankare duke pasur si shpenzim të vetëm rrogat e dy punonjësve?
Asnjë import, asnjë blerje, asnjë shitje, asnjë aktivitet përveçse vjedhjes për llogari të Edi Ramës dhe Armand Frangut.
Edi Rama përsëri në një akt in ekstremis, u tha shqiptarëve se unë kur vjedh, nuk vjedh, por përdor, marr në përdorim.
Se kur foli Lubinë bis të AKSHI-t, ai tha se ajo akuzohet se ka përdorur paratë.
E kuptoni ju?
Në të vërtetë, Edi Rama me Lindën e tij të AKSHI-t dhe të Surrelit, kanë përvetësuar qindra e qindra milionë euro nëpërmjet prestanomeve, banditëve si Ergys Agasi, Ermal Beqiri, etj.
Por sot duhet të informoj shqiptarët se kthetrat e zeza të AKSHI-t, në fakt të Edi Ramës nëpërmjet AKSHI-t, janë shtrirë si tentakula në kadastrat e vendit.
Edi Rama, prej pothuaj një viti, ka bllokuar kadastrën nga çdo lloj kontrolli.
E ndaluar.
Dhe për të bllokuar kadastrën ndaj çdo lloj kontrolli, Edi Rama ka përdorur jo vetëm urdhrin ndaj atyre punonjësve, por Edi Rama ka dërguar këshilltarët e tij banditë për të kërcënuar në mënyrë mafioze drejtues institucionesh që kanë për detyrë kontrollin në emër të shtetit shqiptar.
Çka tregon se Rumi i vërtetë i kadastrës është Edi Rama me Ergys Agasin dhe bandën e tij.
Rumi është lule me ato që ka kryer Edi Rama me Ergys Agasin dhe bandën e tij në pronat e shqiptarëe, në pronat e shtetit shqiptar në tërësi dhe në veçanti në brigjet e Jonit
Afera e AKSHI-t është afera më multidimensionale që ka shpërthyer ndonjëherë.
Te kryebanditi Ergys Agasi, koordinatori privat i Edi Ramës, faleshin ministra, janë të regjistruar, zyrtarët më të lartë të shtetit, disa gjykatës, disa skapistë dhe të tjerë.
Faktikisht zyra e Ergys Agasit ishte zyra e kryeministrit në hije të Shqipërisë protektorat krimi.
AKSHI rrezikon shumë të mos ketë hetim të plotë pasi Altin Dumani siç ka bërë përpjekje për të bllokuar hetimin e Lubi Ballukut, dosjen Balluku, ka bërë ndërhyrje brutale për të gjymtuar hetimin e AKSHI-t.
Ju jeni dëshmitarë se gjer para shpërthimit të skandalit, të cilin ua dimë për nder autoriteteve gjermane, pasi ato bënë të disponueshëm Gerond Meçen për të folur, por Gerond Meçja tjetër, rrëmbimi i të cilit u bë publik falë mesazhit të tij me datën 18 gusht, Daniel Shima, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i AKSHI-t, i shkarkuar nga detyra ditën pasi Mirlinda e Edi Ramës u thirr dhe u pyet 7 orë në hetuesi, u rrëmbye me datën 18 gusht.
Rrëmbimi i tij kishte të bënte me të njëjtën arsye siç ishte rrëmbimi i Gerond Meçes.
Por Shima dinte aq sa dinte Mirlinda e Ramës. Dinte më shumë se Gerondi.
Shima deklaroi se po më rrëmbejnë, i çoi mesazh, po më rrëmbejnë, po më arrestojnë uniforma policie. Ato janë në kamera, zona ku ndodhi ka kamera.
E rrëmbyen, e hipën në makinë.
E morën dhe u nisën drejt Linzës, Surrelit.
U kthyen, vazhduan në trajektoren e rrugës së Elbasanit dhe gjer te tuneli është i dokumentuar me kamera.
Shima u kthye në katër të mëngjesit i bërë copa nga banda e Suel Çelës.
Asnjë hetim.
Komisariati i policisë jep njoftimin se ishte i dëshpëruar dhe ishte zënë me partneren, një aventurier që nuk bind njeri për këtë, dhe nga dëshpërimi bëri një udhëtim drejt jugut, asnjë të dhënë, asnjë dokument, asnjë fakt nuk ka se ai udhëtoi drejt jugut, të gjitha janë se ai udhëtoi drejt Elbasanit.
Ky mashtrim i tij, i diktuar në shpellat e Suel Çelës, u riprodhua në prokurorinë e Tiranës në mënyrën më të turpshme dhe u amnistua nga Altin Troplini, i cili me një shkresë njofton prokurorinë e Tiranës nuk ka asnjë hetim nga Skapi.
Njëlloj si në rastin e Amant Josifit që lidhej me Edi Ramën.
Spaku nuk ka asnjë hetim për Daniel Shimën.
Po sigurisht sepse Daniel Shima dinte aq sa Ergys Agasi dhe më shumë se kushdo tjetër për AKSHI-n.
Dhe këtë nuk mund ta hetonte.
Sikundër nuk hetoi Amant Josifin, sepse Amanti ishte Olsi Rama.
Pra, zhvillimet e muajve të fundit, 11 Maji dhe zhvillimet në vazhdim, provuan para çdo shqiptari se Edi Rama ka zero legjitimitet në postin e tij.
Se ai është një kriminel, një delinkuent që e ka vendin në bankën e të akuzuarit, para drejtësisë.
Se ai po kryen krimin e shëmtuar jo vetëm të vjedhjes së qindra e qindra milionë, në mos miliarda siç është afera e Portit të Durrësit, por tani u thotë shqiptarëve se do u vjedh se drejtësia nuk ekziston.
Çka përbën një kushtrim të madh për çdo shqiptar dhe unë i them Edi Ramës, prite zemërimin popullor.
Të garantoj se shumë shpejt do bjerë mbi ty.
Duke përfunduar u uroj ju gëzuar Vitin e Ri.
U uroj qytetarëve shqiptarë këtë vit dhe të fillojmë vitin tjetër me forca, energji dhe guxim për të çliruar veten tonë, qytetarët shqiptarë, Shqipërinë, nga ky regjim, më i rrezikshmi sot në Europë, ndër më të rrezikshmit në botë.



