Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve të opozitës për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se vendimmarrja do të jetë e shpejtë dhe se do të merren në konsideratë jo vetëm kandidaturat e propozuara nga PD, por edhe ato të pavarura.
Berisha përmendi disa nga emrat e njohur brenda partisë që kanë shfaqur interes për garën, duke i cilësuar si personalitete me kontribute të rëndësishme.
“Partia është parti dhe në çdo rast ajo ka kandidatura. Kishim Adriana Kalanë, një luftëtare nga më të fuqishmet kundër lidhjeve të Edi Ramës me krimin. Kishim Klevis Balliun, një nga deputetët më aktivë dhe personalitetet më aktive të PD. Kishim Edi Palokën, një shtyllë të PD dhe opozitarizmit. Mund të kishte edhe të tjerë nga partia. Për ta kemi vetëm vlerësimin më të madh,” tha Berisha.
Ai shtoi se edhe kandidaturat e pavarura që vijnë nga shoqëria civile apo fusha të tjera do të merren në konsideratë.
“Në rast se nga qytetarët, shoqëria civile apo fusha të tjera dalin kandidatura të pavarura, ato absolutisht do të konsiderohen. Madje njëri më ka dërguar mesazh se dëshiron të kandidojë. Vendimmarrja do të jetë shumë e shpejtë. Koha është kohë,” u shpreh kreu i PD-së.
Berisha la të hapur mundësinë që PD të mbështesë kandidatë të ndryshëm, duke e cilësuar procesin si një hap të rëndësishëm për përfaqësimin e qytetarëve në garën elektorale.