Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas diskutimeve të fundit për ndarjen e re administrative dhe për reformën zgjedhore, duke theksuar se opozita nuk pranon në asnjë mënyrë zvogëlimin e numrit të bashkive në vend.
Në një deklaratë për mediat, Berisha bëri të ditur se dy kushtet kryesore të opozitës për përfshirjen e institucioneve ndërkombëtare në komisionet e posaçme janë pranuar nga mazhoranca.
“Ne kemi vënë një kusht që është pranuar. Kushti ynë është që në Komisionin për Reformën Zgjedhore i pranishëm të jetë ODIHR dhe të na ndihmojë.
Në Komisionin për Reformën Territoriale të jenë ekspertët e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Europës, pranë Këshillit të Europës. Kanë ekspertizën më të shkëlqyer në ndërtimin e pushtetit vendor,” tha Berisha.
Sipas tij, reforma territoriale nuk duhet të kufizojë numrin e bashkive, përkundrazi, duhet të synojë fuqizimin e pushtetit vendor dhe afrimin e institucioneve me qytetarët.
“Për bashkitë jo, nuk jemi për zvogëlimin e tyre. Unë them të jenë më shumë. Qëllimi është që qytetari të ketë një administratë më afër dhe më efikase, jo më të largët,” deklaroi ish-kryeministri.
Berisha propozon rikthimin e Senatit në Parlament
Në të njëjtën deklaratë, Berisha u ndal edhe tek debati i vjetër për rikthimin e sistemit me dy dhoma parlamentare, duke u shprehur pro krijimit të një Senati, që do të shërbente si institucion frenues dhe balancues ndaj Kuvendit.
“Ka një mendim të kahershëm që vendi të bëhet me dy dhoma – një dhomë të lartë, Senatin, dhe një dhomë të parlamentit.
Unë jam dakord me këtë variant, sepse sado pak, nëse e ndërton Senatin jo si një institucion bllokues, por si një institucion frenues në një farë mënyre, atëherë i bën një të mirë vendit,” tha Berisha.
Sipas tij, krijimi i një Senati do të sillte një balancë më të mirë institucionale dhe do të ndihmonte në rritjen e transparencës dhe kontrollit të pushtetit ekzekutiv, por në këtë rast, duhet të pakësohej numri i deputetëve në Kuvendin aktual.
“Nëse Shqipëria vendos të ketë Senat, atëherë pa diskutim që duhet të pakësojë numrin e deputetëve,” shtoi ai.
Opozita kërkon transparencë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare
Berisha theksoi se pjesëmarrja e institucioneve ndërkombëtare në dy komisionet e posaçme është thelbësore për të garantuar proces të ndershëm dhe transparent në reformat që do të prekin strukturën politike dhe administrative të vendit.
“Prania e ODIHR-it dhe e ekspertëve të Këshillit të Europës do të sigurojë që çdo ndryshim të bëhet mbi baza profesionale, jo politike,” tha ai.
Kryedemokrati u shpreh se PD është e vendosur të kontribuojë në proceset e reformave, por vetëm nëse garantohet barazi dhe standard europian në trajtimin e çdo çështjeje.



