Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim dhe rezistencë të fortë opozitare, duke e cilësuar “zënien e sheshit për tre javë” si objektivin kryesor të betejës politike kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se data 22 do të shënojë nisjen e protestës së përgjithshme kombëtare, ku sipas tij, rrugët e Tiranës do të “ushtojnë me thirrjen largohu hajdut”.
“Koha është e guximtarëve. Koha është e sakrificës. Ne jemi të vendosur për sakrificë sepse jemi në të drejtën tonë. Ne do i japim atij përgjigjen që meriton,” u shpreh Berisha.
Ai akuzoi qeverinë për kapje të institucioneve dhe vazhdim të vjedhjes së përditshme, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë. Sipas Berishës, pezullimi i drejtësisë dhe mbrojtja e figurave të korruptuara përmes gjykatave është “diçka që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e botës”.
Berisha garantoi se Partia Demokratike do të ndërtojë frontin më të gjerë të mundshëm opozitar dhe do të përdorë të gjitha format e qëndresës dhe rezistencës deri në largimin e kryeministrit.
“Do të përdorim të gjitha format e rezistencës, gjer në largimin e tij,” theksoi ai.
Sipas liderit të PD-së, forma më e fuqishme e protestës mbetet zënia e sheshit për një periudhë trejavore, duke e cilësuar këtë si momentin kyç të përballjes.
“Nëse më pyesni cila është më kryesorja, është zënia për tre javë e këtij sheshi. Këtu duhet të arrijmë, këtu duhet të betohemi,” deklaroi Berisha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protesta, duke i cilësuar si njerëz të betuar për të shpëtuar vendin, familjet dhe të ardhmen e tyre.
Në fund, Berisha u ndal edhe te zgjedhjet e fundit, të cilat i cilësoi si farsë, duke akuzuar përdorimin e parave, dhunës dhe “policisë politike të votës”.
“Tani ne jemi vota, jemi guximi, jemi forca, jemi fitorja,” përfundoi Berisha.



