Kreu i PD, Sali Berisha deklaroi se procesi i zgjedhjeve në degët e Partia Demokratike e Shqipërisë ka dëshmuar rëndësinë e primareve, duke theksuar se kjo është një traditë që duhet të forcohet më tej në parti.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u shpreh se përzgjedhja e drejtuesve nëpërmjet primareve garanton respektimin e vullnetit të anëtarësisë dhe vendimmarrjen e drejtpërdrejtë të demokratëve.
Sipas tij, procesi zgjedhor në degët e PD është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe me pjesëmarrje të gjerë të anëtarëve. Ai falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë anëtarësinë, organizatorët, drejtuesit politikë dhe koordinatorët.
“Ky proces dëshmoi edhe njëherë se ne nuk duhet në asnjë rrethanë të heqim dorë nga primaret. Nuk mund të zëvendësojmë me asgjë vullnetin dhe të drejtën për vendimmarrje të anëtarëve tanë. Sa më shumë të konsolidohet kjo traditë, aq më e fuqishme bëhet Partia Demokratike”, u shpreh Berisha.
Ai përgëzoi gjithashtu kryetarët e rinj të zgjedhur në disa degë të PD-së në vend, nga Shkodër në Vlorë, si edhe në Berat, Sarandë dhe Himarë, duke vlerësuar procesin si një hap të rëndësishëm në forcimin e demokracisë së brendshme të partisë.
Në fjalën e tij, Berisha vuri theksin edhe te përfaqësimi i grave në drejtimin e degëve të partisë. Ai e cilësoi si një zhvillim pozitiv zgjedhjen me votë të lirë të disa zonjave në poste drejtuese në qytete si Lezhë, Vlorë, Sarandë dhe Himarë, si edhe në Dimal.
Sipas tij, kjo përbën një hap emancipues për partinë dhe tregon tejkalimin e një mentaliteti të vjetër dhe paternalist në politikë. Berisha përgëzoi gratë e zgjedhura për guximin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre në drejtimin e partisë është një zhvillim i rëndësishëm për PD-në.
Kreu i demokratëve shtoi se procesi i zgjedhjeve në degët e partisë duhet të vazhdojë deri në finalizimin e plotë të tij, në mënyrë që të përmbyllet sipas afateve të përcaktuara. Ai bëri të ditur se ky proces pritet të kulmojë me mbajtjen e Kuvendit të partisë në fillim të muajit qershor.
Në të njëjtën kohë, Berisha u ndal edhe te mobilizimi politik i opozitës, duke iu referuar protestës së paralajmëruar më 22 mars. Ai e cilësoi këtë protestë si një moment të rëndësishëm për opozitën dhe si një frymëzim për qytetarët që të reagojnë ndaj, sipas tij, shkeljeve antikushtetuese dhe antiligjore të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
“Protesta e datës 22 është frymëzim për çdo shqiptar dhe secili prej nesh duhet të japë kontributin maksimal në një kryengritje të fuqishme më 22 mars, e cila duhet t’u japë përgjigjen e merituar akteve antikombëtare, antikushtetuese dhe antiligjore të Edi Ramës”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, ai theksoi se krahas mobilizimit për protestat, Partia Demokratike duhet të përqendrohet edhe te përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke u angazhuar maksimalisht për organizimin dhe forcimin e strukturave të saj në të gjithë vendin.



