Dardan Malaj
Në 11 Maj, Qarku i Tiranës do të zgjedhë 37 deputetë, një më shumë se në zgjedhjet e fundit të vitit 2021. Rezultati në këtë qark, me gjasa do të jetë përcaktues edhe për atë në rang vendi. Aktualisht, Partia Socialiste ka 18 mandate, PD 15, LSI 2 dhe PSD 1. Tre mandatet e fundit u fituan përkatësisht me 13,024 vota (PD), 12,602 vota (PS) dhe 12,156 (PD). Nëse do kishte një mandat të 37-të në vitin 2021 atë do ta merrte PS me 11,939 vota.
Marrë për bazë numrin e madh të votuesve, Qarku i Tiranës mbetet shpresa më e madhe e partive “të vogla” dhe të reja për të fituar një mandat deputeti. Po cilat prej tyre kanë gjasa reale për të patur një sukses të tillë, duke ulur potencialisht edhe numrat e mandateve të PS dhe PD?
Që një forcë politike të përfshihet në zbatimin e formulës së ndarjes së mandateve do të duhet që të ketë grumbulluar së paku 1% të votave të vlefshme në rang vendi. Nëse numrit të votuesve të vitit 2021 në rang vendi i shtojmë 76,282 votuesit e regjistruar deri më tani nga diaspora, numri total i votuesve arrin në 1,738,556. Nëse për efekt projeksioni, mbajmë njësoj si në 2021 në 5% numrin e votave të pavlefshme, numri i votave të vlefshme në gjithë vendin do ishte 1,651,629. Rrjedhimisht, një subjekti politik ose koalicioni do ti duhej të merrte së paku në rang vendi 16,516 vota. Me shumë gjasë një pjesë e partive të vogla që pretendojnë mandat në Tiranë e kapërcejnë këtë kufi ligjor.
Deri më tani, për Qarkun e Tiranës janë regjistruar 15,454 votues nga jashtë vendit. Deri në përfundim të afatit të KQZ, rritja e këtij treguesi mund të bëjë që të shtohen edhe votat potenciale për subjektet e reja dhe ato “të vogla” ekzistuese.
Në 2021 Partia e Lirisë (ish-LSI) mori 2 deputetë. Mandatet e saj në 11 Maj mbetet e vështirë për tu llogaritur për aq kohë sa pritet që të jenë sëbashku në një listë me Partinë Demokratike.
Partia Socialdemokrate duket se e ka të sigurtë një mandat deputeti pasi në zgjedhjet e fundit lokale të 2023 ka marrë në 5 bashkitë e Qarkut Tiranë 17,664 vota.
Referuar rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2021, Agron Shehaj mori 13,855 vota preferenciale individuale në listën e Partisë Demokratike në Tiranë. Kjo e bën atë të favorizuar për të ruajtur pozitat edhe në 11 Maj duke konfirmuar një mandat deputeti falë edhe “kafshimit” të “tortës elektorale” kryesisht nga grupimi Basha dhe PD e Berishës.
Nëse shohim rezultatin e zgjedhjeve lokale të 2023, kandidati Arlind Qorri i “Lëvizjes Bashkë” arriti të marrë vetëm në territorin e Bashkisë Tiranë 13,851 vota. Duke shtuar dhe votat potenciale në 4 bashkitë e tjera të qarkut, duket se edhe Qorri ka gjasa të mëdha të garantojë një mandat deputeti në kryeqytet.
Më e ndërlikuar duket situata në kampin e demokratëve të Lulzim Bashës. Në zgjedhjet e vitit 2023 në pesë bashkitë e Qarkut Tiranë ata mblodhën 39,486 vota. Referuar zhvillimeve të mëpasme politike, rikonfirmimit të Berishës si kryetar, rimarrjes së logos dhe selisë nga Rithemelimi dhe përçarjes së dyshes Basha-Alibeaj, ky rezultat duket i pa arritshëm. Gjasat më të mëdha janë që së paku këto vota të ndahen mes grupimeve të Bashës, Berishës, Alibeajt dhe Shehajt. Probabiliteti më i madh është që partia e Bashës të mbetet maksimumi në rang qarku tek 12,398 votat që mori kandidati i tij Roland Bejko në 2023 në Bashkinë Tiranë. Kjo mund ta mbante në kufijtë e një mandati deputeti.
Shanset që aleanca mes Dashamir Shehit, Enkelejd Alibeajt dhe Bindjes Demokratike të fitojnë një mandat deputeti nuk duken dhe shumë në horizont. LZHK në rang Qarku në 2023 ka marrë vetëm 5,663 vota dhe do ti duhej më shumë se një dyfishim i tyre. E njëjta situatë është dhe në kampin e “Nisma Thurje” e cila në rang qarku në 2023 mori 6,993 vota.Pavarësisht sondazheve, elementi i panjohur dhe i pamundur për tu krahasuar është Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, subjekt i ri që nuk ka asnjë rekord të deritanishëm në zgjedhje.
Nëse PSD thjesht ruan mandatin e marrë në 2021, partia “Mundësia” e Agron Shehajt dhe grupimi Basha mund të heqin mandate nga Partia Demokratike e Sali Berishës. Ndërkaq, Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorrit dhe potencialisht “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt mund të “kafshojnë” drejt të majtës.