Në Anchorage të Alaskës, liderët më të fuqishëm të botës, presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin, kanë filluar takimin e shumëpritur, me fokus kryesor të diskutimit: lufta në Ukrainë. Kamera të gjithë botës ndodhen aty për të dokumentuar çdo zhvillim të këtij eventi historik.
Avioni presidencial i Trump zbriti rreth orës 20:20, ndërsa ai priti zyrtarisht Putinin, i cili arriti në aeroport rreth orës 20:55. Takimi i parë midis dy presidentëve do të zhvillohet në shkallët e avionëve, një moment simbolik i përshëndetjes dhe fillimit të bisedimeve.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, bëri të ditur se Trump do të shoqërohet nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff. Në orën 21:00, dy presidentët do të hyjnë në një takim me dyer të mbyllura “kokë më kokë”, vetëm në praninë e përkthyesve, ku do të diskutohen hapat për një zgjidhje të mundshme për konfliktin në Ukrainë.
Kremlini ka paralajmëruar se takimi mund të zgjasë deri në 7 orë, ndërsa presidenti amerikan ka theksuar se kohëzgjatja do të varet nga rezultatet dhe atmosfera e bisedimeve. Pas këtij takimi, do të zhvillohet një takim i delegacioneve amerikane dhe ruse, i ndjekur nga një drekë pune.
Ky takim pritet të prodhojë një marrëveshje historike që mund t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke shënuar një moment kyç në diplomacinë ndërkombëtare dhe duke influencuar stabilitetin e rajonit dhe marrëdhëniet globale në vijim.



