Me qëllim përfitimin e një tarife më të ulët të energjisë elektrike, dhjetëra biznese, kryesisht në kryeqytet, kanë vijuar të furnizohen si konsumatorë familjarë, pavarësisht se ushtronin aktivitet ekonomik.
Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka intensifikuar kontrollet në terren për verifikimin e kontratave të energjisë, me synim përshtatjen e tarifimit sipas përdorimit real të energjisë dhe sistemit të ri të pagesës.
Administratori i FSHU, Algert Luzi, bën me dije se shkeljet janë konstatuar kryesisht në godinat e reja të banimit, ku apartamentet, ndonëse të regjistruara për përdorim familjar, shfrytëzohen si ambiente biznesi.
“Kryesisht janë konstatuar në katet e sipërme të godinave të reja. Apartamente që janë deklaruar për banim, por përdoren si zyra shërbimi. Bëhet fjalë për zyra noterie, kontabiliteti, klinika dentare, biznese estetike dhe aktivitete të ngjashme”, shprehet Luzi.
Sipas FSHU, ky fenomen lidhet kryesisht me kontrata të vjetra energjie ose me mungesën e përditësimit të të dhënave, ndërkohë që përdorimi i objektit ka ndryshuar nga banim në aktivitet ekonomik.
Në kuadër të kontrolleve, FSHU u bën thirrje të gjitha bizneseve, organizatave jofitimprurëse dhe personave fizikë që ushtrojnë aktivitet tregtar, të verifikojnë kategorinë e kontratës së energjisë dhe të kryejnë përditësimin përkatës për të shmangur penalitetet.
Luzi sqaron se diferenca e tarifimit është e konsiderueshme: abonentët familjarë që konsumojnë mbi 700 kWh paguajnë 9.5 lekë për kWh, ndërsa subjektet ekonomike tarifohen me 14 lekë për kWh.
“Pas konstatimit të shkeljes, tarifimi ndryshon menjëherë. Në rast përsëritjeje do të aplikohen penalitete sipas legjislacionit në fuqi”, thekson administratori i FSHU.
FSHU apelon për bashkëpunim me grupet e kontrollit, duke theksuar se synimi i këtij procesi është garantimi i një sistemi të drejtë dhe transparent tarifimi për të gjithë konsumatorët.



