Kryeministri Edi Rama ka shpallur nisjen e një aksioni kombëtar për pastrimin e rrugëve nga objektet e vendosura në mënyrë të paligjshme buzë akseve rrugore. Bizneset që kanë materiale, rraqe apo sende të tjera pranë rrugëve kombëtare kanë afat deri më 31 korrik për t’i larguar vetë.
Kryeministri paralajmëron se do të ketë masa të rënda ndëshkimore ndaj atyre që nuk respektojnë këtë afat. Ai thekson se përjashtohen vetëm objektet e ndërtuara me leje, por jo materialet apo gardhet në oborret e përparme, të cilat duhet të tërhiqen në maksimum.
Rama nënvizon se ky pastrim është i domosdoshëm për sigurinë në rrugë dhe për respektimin e standardeve europiane, ndërsa Shqipëria po afrohet drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ai bën thirrje për mirëkuptim dhe përgjegjësi kombëtare, duke theksuar se kjo fazë e aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit dhe mjedisit duhet të marrë fund.