Megjithëse Shqipëria mbetet pas vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian në zhvillimin e përgjithshëm digjital, bizneset shqiptare po tregojnë ritme më të larta në adoptimin e inteligjencës artificiale (IA) dhe teknologjive të avancuara.
Sipas raportit të fundit “Western Balkans Digital Economy and Society Index 2024” të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, në vitin 2023 rreth 12% e ndërmarrjeve shqiptare përdornin inteligjencën artificiale, një përqindje mbi dyfishin e mesatares rajonale prej 5% dhe dukshëm më e lartë se mesatarja e BE-së, që arrin në 7%.
Përveç IA-së, bizneset shqiptare po aplikojnë gjerësisht edhe teknologji të tjera:
Analiza e të dhënave përdoret nga 33% e ndërmarrjeve, mbi mesataren rajonale prej 31% dhe pothuajse në të njëjtin nivel me BE-në (32%).
E-faturimi është i konsoliduar, me 54% të kompanive që e përdorin, kundrejt 41% në rajon dhe 38% në BE.
Shqipëria kryeson gjithashtu për përdorimin e rrjeteve sociale dhe mjeteve të komunikimit digjital, më shumë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Raporti thekson megjithatë se kjo rritje e përdorimit të teknologjive të avancuara nuk shoqërohet gjithmonë me aftësi të mjaftueshme digjitale të fuqisë punëtore, çka mund të kufizojë përfitimet afatgjata. Bizneset shqiptare shpesh shohin teknologjinë si zgjidhje për mungesën e fuqisë punëtore, një shqetësim që sipas sondazheve është më i theksuar në Shqipëri se kudo tjetër në rajon.
Në Ballkanin Perëndimor, në vitin 2023 vetëm 43% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme arritën një nivel bazik të intensitetit digjital, krahasuar me 58% në Bashkimin Europian. Ndërkohë, përdorimi i cloud computing arriti 26% në rajon (kundrejt 38% në BE), ndërsa adoptimi i analizës së të dhënave u rrit në 31%, duke ngushtuar ndjeshëm diferencën me BE-në krahasuar me vitin 2020.