back to top
27.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaBiznesi në shënjestër të Kodit Penal: Drejt përgjegjësisë kolektive

Biznesi në shënjestër të Kodit Penal: Drejt përgjegjësisë kolektive

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka ngritur sërish alarmin për përmbajtjen e projekt-Kodit të ri Penal, duke e cilësuar atë si një rrezik të drejtpërdrejtë për të drejtat themelore dhe sigurinë juridike në Shqipëri.

Në një reagim publik, Manjani thotë se projektligji nuk zgjidh asnjë nga problemet aktuale në sistemin penal, por përkundrazi i thellon ato, duke hapur rrugë për ndjekje penale edhe ndaj qytetarëve apo bizneseve që kanë vepruar ligjërisht.

Sipas Manjanit, projekt-Kodi nuk ndalon praktika abuzive të ndjekjeve penale për vendime që janë formalisht të ligjshme dhe ende në fuqi.

“Zyrtarët publikë që kanë marrë vendime të ligjshme apo mbajtësit e licencave, kontratave e lejeve që janë miratuar në mënyrë të rregullt, rrezikojnë të hetohen e të ndiqen penalisht. A është ende paligjshmëria kriteri themelor për një vepër penale?”, pyet Manjani.

Ai thekson se një koncept i tillë rrëzon vetë bazën e shtetit të së drejtës: nëse një vendim është ligjor dhe nuk është kontestuar, nuk mund të jetë objekt i një ndjekjeje penale.

Një tjetër pikë e nxehtë që Manjani evidenton është futja e përgjegjësisë penale për personat juridikë, duke e quajtur këtë një “budallallëk” të importuar.

“Pranojmë nga njëra anë drejtësinë penale individuale, dhe nga ana tjetër përgjegjësinë kolektive për biznese apo institucione. Cila vlen? Sepse të dyja nuk qëndrojnë në të njëjtin sistem ligjor.”

Manjani shton se kjo rrezikon të kthejë çdo biznes në një subjekt të hetueshëm e të dënueshëm penalisht për çdo veprim apo gabim të një individi të brendshëm — qoftë ortak, administrator apo punonjës.

Ish-ministri konkludon se projekt-Kodi, në vend që të forcojë mbrojtjen ndaj abuzimeve dhe të respektojë parimin e legalitetit, e zgjeron më tej fushën e ndjekjes penale, duke përfshirë edhe veprime tërësisht të ligjshme.

“Nëse nuk pranojmë që legaliteti është kufi i përgjegjësisë penale, atëherë nuk ka më kuptim as të bëjmë kontrata, leje, vendime apo licenca. Le të pyesim më mirë prokurorin për çdo akt zyrtar: ta firmos apo jo…”

Kujtojmë se debati mbi projekt-Kodin Penal është ndezur pas kritikave të forta edhe nga aktorë të tjerë, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, shoqërinë civile dhe ekspertë të së drejtës, të cilët kërkojnë më shumë transparencë dhe përfaqësim real në hartimin e ligjit penal më të rëndësishëm të vendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat