Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po planifikon ngritjen e një njësie operacionale brenda Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), e cila do të jetë e aftë të vëzhgojë dhe të infiltrohet në hetime “undercover”, me qëllim fuqizimin e kapaciteteve hetimore dhe rritjen e pavarësisë nga Policia e Shtetit.
Sipas raportit vjetor të SPAK, kjo njësi synon të kufizojë rrjedhjen e informacionit gjatë operacioneve hetimore dhe të zhvillojë një dimension të ri të kapaciteteve operative të BKH-së. Vendimi vjen pas shqetësimeve të ngritura më parë nga SPAK për dekonspirim dhe tradhti në aksionet e mëparshme.
Nga krijimi i Byrosë sipas modelit të FBI-së amerikane, BKH ka marrë përgjegjësi mbi përgjimet dhe njësinë parandaluese, edhe pse njësia e vlerësimit të riskut ende nuk është funksionale.
Objekti ku do të zhvendoset Byroja Kombëtare e Hetimit është pajisur me sisteme të kamerave dhe regjistrim audio në çdo zyrë marrjeje në pyetje, për të garantuar monitorimin dhe dokumentimin e plotë të intervistave me deklarues dhe dëshmitarë.
Prokuroria e posaçme thekson se ngritja e një njësie të tillë brenda strukturës do të përmirësojë cilësinë e hetimeve dhe do të rrisë autonominë operative të BKH-së, duke e bërë atë më të pavarur nga ndikimet e jashtme.



