Kryetarët e grupeve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Vlorës kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke akuzuar Këshillin Bashkiak dhe Prefektin e Qarkut për shkelje ligjore në procedurën e votimit dhe miratimit të ligjshmërisë lidhur me kryetarin e komanduar të Bashkisë.
Sipas opozitës, kjo procedurë është kryer në kundërshtim me ligjin dhe përbën elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”. Në kallëzim përfshihet edhe akuza për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, ku përmenden veprimet e deputetit socialist Blendi Çuçi.
Opozita deklaron se do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të garantuar respektimin e ligjit dhe transparencën në qeverisjen vendore, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të veprojnë me paanësi dhe në përputhje me Kushtetutën.



