Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, ka vijuar me akuzat e tij të forta ndaj qeverisë, duke i cilësuar zgjedhjet e fundit si një “farsë poshtëruese” për shqiptarët. Ai publikoi një video që sipas tij provon shpërndarjen e parave për blerjen e votave, ku sipas Berishës, personazhet janë të identifikuar plotësisht dhe janë eksponentë të njohur të Partisë Socialiste.
“Nuk janë zgjedhje kur shteti shpërndan para në çdo formë për të manipuluar rezultatin,” u shpreh Berisha. Ai përmendi si shembull shpërndarjen e 100 eurove për pensionistët, faljen e 200 milionë eurove në gjoba dhe kamata, si dhe rritjen e sipërfaqeve të lejuara për kultivimin e kanabisit në mënyrë të paligjshme.
Berisha ngriti pikëpyetje mbi përfaqësimin real të qytetarëve, duke përmendur raste të kandidatëve që kanë fituar me mijëra vota, por që sipas tij janë produkte të manipulimeve dhe abuzimeve me shtetin. “Si mund të përfaqësojë një qytetar të ndershëm një individ që del nga anonimati me mijëra vota të blera?”, u shpreh ai.
Ai theksoi se ky proces zgjedhor nuk mund të njihet dhe se është delegjitimuar nga vetë faktet që tashmë janë të dokumentuara dhe të publikuara për publikun dhe faktorin ndërkombëtar.
“Po kjo është jo vetëm farsë, por një farsë poshtëruese që shqiptarët nuk do e pranojnë,” përfundoi Berisha.
Në vijim, ai bëri thirrje për reflektim qytetar dhe ndërhyrje ndërkombëtare për të ndalur atë që e cilësoi si “kapje totale të shtetit për qëllime elektorale”.
PD publikon pamje: Paratë për vota u shpërndanë në mes të Tiranës