Ish-kryebashkiaku i Burrelit dhe aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Agron Malaj, ka paditur për shpifje deputetin demokrat Xhelal Mziu, pas një deklarate të bërë nga ky i fundit një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Në një reagim para zgjedhjeve, Mziu akuzoi se automjeti që përdorej nga Malaj shpërndante para në këmbim të votave, duke ngritur pretendime për blerje votash në qarkun e Dibrës.
Pas këtyre akuzave, Malaj ka nisur një proces ligjor kundër deputetit të Partisë Demokratike. Sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar edhe seanca e parë e pajtimit mes palëve.
Më 10 maj 2025, një ditë para zgjedhjeve, simpatizantë të Partisë Demokratike ndaluan një automjet, duke pretenduar se personat në të shpërndanin para me qëllim blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste. Mziu i drejtoi akuzat ndaj Malajt duke e konsideruar atë përgjegjës për automjetin në fjalë.
Ngjarja nxiti tensione në terren dhe tashmë po merr rrugën e drejtësisë përmes padisë që Malaj i ka bërë Mziut.
Procesi gjyqësor do të vazhdojë me seanca të tjera dhe pritet që të japë edhe një vendim përfundimtar mbi këtë çështje, e cila ka ngjallur debat dhe tensione në skenën politike lokale.