Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për “blerje masive votash” përmes fondeve të garancisë sovrane në bujqësi, në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Në një deklaratë publike të ashpër, Berisha e cilësoi procesin zgjedhor si “farsën më të shëmtuar që nga diktatura e Enver Hoxhës”.
“Për të siguruar mandatin e katërt, Edi Rama përdori të gjitha format e krimit elektoral. Garancia sovrane për kreditë në bujqësi ishte blerje e drejtpërdrejtë votash”, – u shpreh Berisha.
Sipas tij, qeveria shpalli më 10 shkurt 2025 një skemë kredish të buta me garanci shtetërore për sektorin e bujqësisë, me një fond prej 250 milionë eurosh, ku 70% e principalit të kredisë mbulohej nga shteti.
Berisha theksoi se Kodi Zgjedhor, në nenin 91/4, ndalon shpërndarjen e fondeve dhe ndërhyrjet financiare gjatë fushatës, por Rama dhe ministrat e tij organizuan takime të njëpasnjëshme me grupe biznesi dhe fermerë, duke shpërndarë premtime dhe fonde.
“Në kundërshtim të plotë me ligjin, ministrat Denaj, Ibrahimaj, Balluku, Mazniku dhe të tjerë qarkuan vendin me skemën e garancisë sovrane në duar, si flamur elektoral”, – tha Berisha.
Ai publikoi një kalendar të detajuar me takime që, sipas tij, provojnë përdorimin elektoral të skemës:
10 shkurt – shpallja zyrtare e skemës nga Rama, me pjesëmarrje të Anila Denaj, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe drejtueses së AZHBR;
7-11 mars – takime me Dhomat e Tregtisë, Prodhuesit dhe Agrobiznesin;
13-20 mars – vizita në Malësinë e Madhe, Zall-Herr, Pukë, Berat, Cërrik e më tej;
Prill – shpërndarje “letrash indulgjence” në zona rurale.
Berisha akuzoi se fondet nuk shkuan për fermerët realë, por për “fermerët e rremë” të lidhur me pushtetin dhe militantët partiakë. Ai deklaroi se Rama përdori bujqësinë për të maskuar një plan elektoral të mirëorganizuar.
“Nuk ishin ndihma për fermerët, por ryshfete për vota. Ishte një garanci për pushtetin personal të Edi Ramës, jo për zhvillimin rural”, – tha ai.
Përfundim: “Fushatë me buxhetin e shtetit”
Berisha mbylli deklaratën duke akuzuar qeverinë për shfrytëzim kriminal të burimeve publike, duke kërkuar hetim të plotë dhe hetim ndërkombëtar për procesin zgjedhor.
“Asnjëherë më parë nuk është përdorur kështu buxheti i shtetit për të manipuluar vullnetin e qytetarëve. Kjo nuk është demokraci, por një grusht institucional ndaj zgjedhjeve të lira”, – përfundoi Berisha.