Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, shkruan e përditshmja Bloomberg.
Kërkesat ndaj vendeve të rajonit janë pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së për të gjetur qeveri të huaja, të gatshme për të pranuar migrantët e dëbuar, shkruan më tej Bloomberg, duke cituar burime që kanë dijeni për këtë çështje.
Zyrat rajonale të Departamentit të Shtetit të SHBA-së u ngarkuan me detyrën e prezantimit të idesë, tha një nga personat. Nuk është e qartë nëse u arrit ndonjë marrëveshje si rezultat i bisedimeve.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë.
Wall Street Journal raportoi në prill se SHBA-të kishin shqyrtuar mundësitë për të dërguar të dëbuarit diku tjetër në Ballkan, përfshirë Moldavinë dhe Kosovën, si dhe vende të tjera të botës.
Por Serbia, e cila nuk është raportuar më parë si një destinacion i mundshëm për të dëbuarit nga SHBA-të, është e rëndësishme për familjen Trump për një arsye të veçantë.
Kryeqyteti i saj është vendi për ndërtimin e ardhshëm të Kullës Trump në Beograd, e planifikuar nga një firmë investimi e bashkëthemeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit.
Organizata Trump arriti një marrëveshje për të licencuar markën e saj për projektin. Trump ia dorëzoi kontrollin e Organizatës Trump Eric Trump dhe Donald Trump Jr., dy djemve të tij më të mëdhenj. Trump Jr. gjithashtu mbikëqyr asetet e babait të tij në një fondacion.