Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar që sesioni i ri parlamentar të nisë me shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Kërkesa u bë gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku Blushi akuzoi mazhorancën se po zvarrit qëllimisht procesin, duke i dhënë kohë Ballukut, sipas tij, për të prishur provat dhe për të intimiduar dëshmitarët.
“Ky sesion duhet të nisë punimet me heqjen e imunitetit të Ballukut dhe dorëzimin e saj para drejtësisë. I keni dhënë gjashtë javë kohë Belinda Ballukut për të prishur provat dhe intimiduar dëshmitarët”, u shpreh Blushi.
Ai shtoi se vijimi i ushtrimit të detyrës si zv/kryeministre nga Balluku përbën, sipas tij, promovim të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, ndërsa akuzoi mazhorancën se me mbrojtjen e saj po provokon jo vetëm opozitën, por edhe qytetarët shqiptarë.
“Me mbrojtjen e Ballukut nuk po provokoni opozitën, por të gjithë shqiptarët që po vidhen barbarisht. Ju keni premtuar se do të miratoni çdo kërkesë të SPAK për dhënie autorizimi”, deklaroi deputeti i Partisë së Lirisë.



