Gjatë ditës së djeshme kur qytetarët bojkotuan blerjen në markete në shenjë revolte për rritjen e çmimeve, të dhënat tregojnë se tetë zinxhirët më të mëdhenj të marketeve në vend kanë pasur rënie të qarkullimit të përgjithshëm për 46,59%, krahasuar me të premten e kaluar. Të dhënat i publikoi Drejtoria e të Ardhura Publike. Nga këto të dhëna po ashtu shihet se nuk ka pasur dyndje të mëdha nëpër markete një ditë para bojkotit, në krahasim me një javë më parë.
“Më 31 janar deri në mesnatë, në GPRS sistemin e DAP-it është regjistruar qarkullim i përgjithshëm në vlerë prej 114,293,363 denarë. Të enjten më 30 janar deri në mesnatë, në GPRS sistemin e DAP-it është regjistruar qarkullim i përgjithshëm 212,782,151 denarë, ndërkaq të premten më 24 janar deri në mesnatë është regjistruar qarkullim i përgjithshëm në vlerë prej 213,985,705 denarë”, thonë nga Drejtoria për të Ardhura Publike.
Kryeministri Hristijan Mickoski, sot deklaroi se inspektorët kanë dalë në terren dhe ndodhen në shumicën e marketeve të mëdha, ku po bëjnë analizë të çmimeve, ndërkaq paralajmëroi se do të japë detaje prej të hënës.
“Po, kanë dalë të gjitha institucionet në terren. Më shumë informata do të kemi të hënën, por mund të them se gjendemi në të gjitha supermarketet më të mëdha dhe bëhet analizë e detajuar. Më shumë informata mund të ndaj me opinionin prej të hënën, por mund të them se një pjesë për çfarë ishim të shqetësuar, gjegjësisht frikësimet tona po bëhen të vërteta dhe reale. Kështu që veprojmë dhe do të vazhdojmë të veprojmë, si qeveri kemi obligim ta mbrojmë standardin e qytetarëve, por njëkohësisht normalisht të mos e prishim ekonominë e tregut, rregullat e tregut e kështu me radhë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Opozitarja LSDM, thekson se bojkoti i marketeve është porosi për qeverinë, e cila nuk ka arritur që me masa përkatëse, të parandalojë rritjen e çmimeve.
“Qytetarët vetë u organizuan dhe nëpërmjet bojkotimit të marketeve e ngritën zërin kundër çmimeve të larta dhe rritjeve enorme. Bojkoti është porosi edhe për pushtetin e Mickoskit, i cili nuk i mbron qytetarët, nuk ka ndërmarrë në kohë masa efektive dhe nuk e ka parandaluar rritjen e çmimeve. Pikërisht Mickoski më 5 dhjetor të vitit 2024 në konferencë për shtyp në Qeveria e promovoi “shportën” dhe tha se mbi 600 produkte do të lirohen. Por, në vend që të ulen, çmimet u rritën. Pasi që Qeveria u la kohë tregtarëve të mëdhenj t’i rrisin çmimet e prodhimeve para se masa të hyjë në fuqi”, thonë nga LSDM.
Qytetarët, në mënyrë të pavarur, më 31 janar bojkotuan blerjen në marketet e vendit për shkak të rritjes së çmimeve. Aksion i këtillë paraprakisht është zhvilluar në Kroaci, ndërkaq iniciativa të ngjashme janë paralajmëruar edhe në vende tjera rajonale. Partitë në vend e kanë mbështetur këtë akt revolte të qytetarëve./Alsat.mk