back to top
22.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëBomba bërthamore e Shqipërisë!

Bomba bërthamore e Shqipërisë!

Nga Lutfi Dervishi

Nëse mendojmë se problemet që kemi janë korrupsioni, papunësia, zgjedhjet e kontestuara, uji i (pa)pijshëm, mungesa e drejtësisë apo largimi i trurit, po injorojmë dramën  që po gërryen themelet e vendit: plakjen e popullsisë.

Sipas të dhënave më të fundit, vendi ka hyrë zyrtarisht në listën e 11 vendeve më të plakura të Europës. Mosha mesatare sot është 44.3 vjeç, ndërkohë që  në 2010 ishte 31.9. Ritmi i moshimit është i jashtëzakonshëm: 12.4 vite në vetëm 14 vjet, katër herë më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së.

Në një kontinent që vetë po lufton prej dekadash me plakjen, Shqipëria nuk është se vetëm po plaket… por po  zbrazet. Nuk po zbrazët vetiu.

Presidenti francez Charles de Gaulle thoshte dikur: “Demografia bën historinë, dhe jo e kundërta.” E nëse historia është udhërrëfyesi ynë, atëherë ne jemi duke ndjekur një kurs që s’na çon drejt BE-së, por drejt një zbrazëtie me pasoja fatale. Nje shtëpi që nuk merr frymë brehet.

Kush do të paguajë pensionet?

Kush do të mbajë gjallë sistemin shëndetësor?

Kush do të punojë tokën, të hapë biznese, të mbajë gjallë gjuhën, qytetet, lagjet?

Kush do të votojë? Kush do të sigurojë të ardhmen, vijimësinë? Dhe më e rëndësishmja: kush do të na përfaqësoje?

Nëse demokracia funksionon mbi parimin e përfaqësimit, atëherë në  mungesë të rinjve, do të kemi një sistem që punon për të moshuarit. Shenjat janë të qarta:  në fushatë  premtimi kryesor ishte  rritja e pensioneve.

Jemi kthyer në një vend ku shumica e brezit të pensionistëve  vendos për të ardhmen e brezit të ri.

Në vend të çerdheve, kopshteve e shkollave, do të flasim gjithnjë e më shumë  për ndertimin e azileve.

Dhe do të përfundojmë shumë shpejt në gerontokraci (pushteti i pleqve)

Kjo krizë është sociale, ekonomike dhe politike. Por çuditërisht, kriza nuk artikulohet. Asnjë sociolog, asnjë demograf, asnjë profesor i universitetit nuk po e ngre zërin siç duhet. Ministritë heshtin. Akademia e Shkencave hesht. Edhe biznesi, që do të duhej të ishte në alarm për mungesën e fuqisë punëtore, po sillet sikur gjithçka do të zgjidhet me ndonjë tender a PPP për të sjellë emigrantë nga Azia.

Kjo nuk është thjesht mungesë vëmendjeje, është  tentativë  vetëvrasje kolektive. Rastësi?

Nëse plakja është e pandalshme, braktisja mund të ndalet. Në vend të një politike e propagande të bazuar në projeksione dhe llogari statistikore, për numrin e turistëve që rritet krahasuar me 2013, kemi nevojë për një shkundje shoqërore dhe politike.

Një pakt kombëtar për ripërtëritje demografike, me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve; shtetit, shoqërisë civile, universiteteve dhe biznesit i shoqëruar me politika sociale për rikthimin e emigrantëve të rinj dhe për stimulin e lindshmërisë do të ishte një fillim i mirë.  Politikat e Hungarisë në këtë drejtim (apo çdo vendi që ka sukses në këtë fushë) duhen qëmtuar e zbatuar pa humbur kohë. Bonusi i bebeve duket se nuk dha rezultatet që priteshin.

Modeli i zhvillimit: gjithë Shqipëria në Tiranë po zbraz qytete e fshatra. Është prishur ekuilibri demografik i vendit. Është e domosdoshme rivendosja  e dinjitetit të jetës në vend, në qytete dhe sidomos në fshat. Kjo nënkupton zhvillim të qëndrueshëm dhe jo fasada dhe shifra me milionë turistë që vizitojnë vendin.

Nëse vendi vijon të plaket me këtë ritëm dhe me këtë heshtje, atëherë nuk kemi më së çfarë të ardhme të planifikojme. Viti 2030 rrezikon të na gjejë më bastun “drejt BE”, nëse ajo do të jetë ende në këmbë.

Sot nuk na mungojnë shifrat. Shifrat po ulërasin, por  mungon zëri.

Është paradoks që një vendi që shurdhohet nga propaganda, i mungon klithma për jetën.

Ndoshta për herë të parë pas shumë dekadash, armiku më i rrezikshëm i Shqipërisë nuk është korrupsioni, por ora biologjike.

Tre dekada kryefjala ka qenë “demokracia”, tani është: “demografia”, nesër do të jetë asfiksia?

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat