back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetBotaBoston, 15 vite burg ushtarakut për nxjerrjen e dokumenteve sekrete për Ukrainën

Boston, 15 vite burg ushtarakut për nxjerrjen e dokumenteve sekrete për Ukrainën

Një gjykatëse federale dënoi të martën një anëtar të Gardës Kombëtare Ajrore të Masaçusetsit me 15 vite burg pasi ai pati pranuar fajësinë për nxjerrjen e dokumenteve ushtarake tepër sekret në lidhje me luftën në Ukrainë.

Jack Teixeira pranoi fajësinë në fillim të këtij viti për gjashtë akuza sipas Aktit të Spiunazhit, për mbajtjen dhe transmetimin e qëllimshëm të informacionit për mbrojtjen kombëtare, pas arrestimit të tij në kuadrin e çështjes më të rëndësishme hetimore prej vitesh në lidhje me sigurinë kombëtare. I paraqitur në gjykatë i veshur me uniformën ngjyrë portokalli të burgut, ai nuk shfaqi asnjë reagim të dukshëm, ndërsa i jepej dënimi nga gjykatësja e qarkut Indira Talwani.

Përpara se të dënohej, ai kërkoi falje për veprimet e tij.

“Doja të them se më vjen keq për të gjithë dëmin që solla dhe shkaktova”, tha zoti Texeira, duke iu referuar “vorbullës” që ai u shkaktoi miqve, familjes dhe të gjithë personave të tjerë të prekur që gjenden jashtë vendit. “E kuptoj se e gjithë përgjegjësia dhe pasojat bien vetëm mbi supet e mia dhe pranoj çdo gjë që kjo do të sjellë”, tha ai, ndërsa i drejtohej gjyqtares.

Më pas, zoti Teixeira përqafoi një nga avokatët e tij, shikoi nga familja e tij dhe buzëqeshi përpara se të dilte jashtë gjykatës.

Shkelja e sigurisë ngriti alarmin mbi aftësinë e Amerikës për të mbrojtur sekretet e saj më të rëndësishme dhe e detyroi administratën e Presidentit Bidenit të përpiqet të frenojë pasojat diplomatike dhe ushtarake. Informacioni i dalë turpëroi Pentagonin, i cili forcoi kontrollet për të mbrojtur informacionin e klasifikuar dhe mori masa ndëshkimore ndaj personave që u zbulua se nuk kishin ndërmarrë qëllimisht veprimet e nevojshme për sjelljen e dyshimtë të zotit Teixeira.

Zoti Teixeira, nga North Dighton, Masaçusets, pranoi fajësinë në mars për gjashtë akuza për mbajtjen dhe transmetimin e qëllimshëm të informacionit të mbrojtjes kombëtare, sipas Aktit të Spiunazhit. Kjo erdhi gati një vit pasi ai u arrestua për rrjedhjen më të rëndësishme të të dhënave të sigurisë kombëtare në vite.

Jack Douglas Teixeira, me uniformën e Gardës Kombëtare të Forcave Ajrore
Jack Douglas Teixeira, me uniformën e Gardës Kombëtare të Forcave Ajrore

Zoti Teixeira, i cili shërbente si ushtarak në Degën 102 të Zbulimit në Bazën Otis të Gardës Ajrore Kombëtare në Masaçusets, punonte si specialist i sistemeve të transportit kibernetik, që në thelb është një specialist i teknologjisë së informacionit përgjegjës për rrjetet e komunikimit ushtarak.

Autoritetet thanë se ai fillimisht riprodhonte dokumentet e klasifikuara tek të cilat kishte qasje dhe më pas filloi të shpërndante fotografi të dosjeve që mbanin shenja SEKRET dhe TEPËR SEKRET. Prokurorët thanë gjithashtu se ai u përpoq të mbulonte gjurmët përpara arrestimit të tij dhe autoritetet gjetën një tablet, një kompjuter portativ dhe një tastierë lojrash Xbox të copëtuara në një kosh në shtëpinë e tij.

Nxjerrja e këtyre të dhënave i ekspozoi botës vlerësimet sekrete për luftën e Rusisë në Ukrainë, përfshirë informacionin për lëvizjet e forcave në Ukrainë dhe sigurimin e furnizimeve dhe pajisjeve për njësitë ukrainase. Zoti Teixeira gjithashtu pranoi se kishte postuar informacione në lidhje me planet e një kundërshtari të Shteteve të Bashkuara për të dëmtuar forcat amerikane që shërbejnë jashtë vendit./VOA

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat