Kryeministri Edi Rama ka theksuar nevojën për një reformim të thelluar të sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, gjatë prezantimit të raportit vjetor të Bordit të Akreditimit për Institucionet e Arsimit të Lartë. Në fokus të diskutimit ishte një bilanc i punës 4-vjeçare mbi vlerësimin e universiteteve në vend, si dhe sfidat që duhen adresuar për ta çuar arsimin e lartë drejt standardeve evropiane.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi procesin e akreditimit si një hap të rëndësishëm për të ndërtuar atë që ai e quajti “Universiteti 4.0” – një vizion për universitete moderne, konkurruese dhe të lidhura me zhvillimet më të fundit ndërkombëtare.
“Kjo është një përpjekje që meriton respekt. Raporti përfaqëson një bilanc të vlefshëm dhe na ndihmon të kuptojmë ku jemi dhe ku duhet të shkojmë,” tha Rama.
Kryeministri vuri në dukje se raporti evidenton progresin e bërë, por edhe mangësi të mëdha që kërkojnë vëmendje të menjëhershme.
“Ndërkohë që ne ecim përpara, bota fluturon. Për të qenë seriozë dhe konkurrues, duhet të shtyjmë fort përpara dhe të ofrojmë një arsim të lartë që i përgatit të rinjtë për sfidat globale,” theksoi ai.
Duke përmendur integrimin europian si sfond të rëndësishëm për ndryshimet e nevojshme, Rama u shpreh se ligji aktual për arsimin e lartë ka nevojë për rishikim të thellë.
“Ligji duhet të reflektojë përvojën e mbledhur dhe zhvillimet më të fundit akademike. Jemi në një moment kyç, dhe kjo kërkon qasje të guximshme dhe të vendosur,” u shpreh kryeministri.
Ai i bëri thirrje aktorëve të sistemit arsimor dhe institucioneve shtetërore të përfshihen në një proces të thellë reformimi, që do t’i japë arsimit të lartë shqiptar një hov të ri drejt Bashkimit Europian.