Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së çmimeve të fruta-perimeve në Tiranë, duke e cilësuar situatën si abuzive dhe të papranueshme për qytetarët.
Përmes një reagimi publik, Braçe shprehet se ka konstatuar nga afër çmimet në disa pika shitjeje buzë rrugës dhe është “lemeritur” nga niveli i tyre. Ai rendit disa prej produkteve që, sipas tij, kanë arritur çmime shumë të larta për konsumatorin.
Sipas deputetit, domatet po shiten nga 300 deri në 340 lekë për kilogram, ndërsa domatet e vogla të importit arrijnë deri në 640 lekë/kg. Speci i kuq ka shkuar në 340 lekë/kg, karrota nga 140 deri në 150 lekë/kg, ndërsa patëllxhani, edhe pse “pa cilësi”, po tregtohet me rreth 320 lekë/kg.
Braçe shton se bizelet po shiten me 480 lekë/kg dhe mashurkat deri në 600 lekë/kg, duke theksuar se këto çmime janë konstatuar në pikat më të lira të tregtimit, çka sipas tij lë të kuptohet se në zona të tjera ato mund të jenë edhe më të larta.
Ai ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e kontrollit fiskal, duke theksuar se shumë prej tregtarëve që operojnë në trotuare nuk lëshojnë kupon tatimor.
Në reagimin e tij, Braçe kritikon edhe Policinë Bashkiake, duke thënë se prej një viti ka kërkuar lirimin e hapësirave publike për qytetarët, veçanërisht për të moshuarit, por pa rezultat.
Deputeti e përmbyll reagimin duke e cilësuar situatën si një problem serioz që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të mbrojtur konsumatorët dhe për të vendosur rregull në treg.



