Deputeti Erion Braçe ka reaguar ashpër për çmimet e larta të frutave dhe perimeve në Tiranë, duke e cilësuar situatën si “skandaloze” dhe duke kërkuar ndërhyrje emergjente për të ndalur abuzimet në treg.
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe thekson se produktet që po shiten me çmime të larta janë të stinës dhe duhet të kenë kosto të drejta për konsumatorët. Ai propozon hapjen e tregjeve publike vetëm për bujqit, jo për tregtarët ndërmjetës, që rrisin në mënyrë të padrejtë çmimet përfundimtare.
Deputeti kërkon gjithashtu barazimin e TVSH-së së brendshme, duke theksuar se në sistemin aktual çmimet rriten me deri në 20% vetëm për shkak të taksave. Një tjetër sugjerim i tij është fiskalizimi i plotë nga prodhuesi deri te blerësi për të garantuar transparencë dhe çmime të drejtë.
Braçe tërheq vëmendjen edhe mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike, të cilat kanë dëmtuar prodhimet bujqësore, duke kritikuar mungesën e vëmendjes dhe politikave për përshtatjen e sektorit me këto sfida.
“Duket bezdi e madhe të flasësh për këto probleme, por kjo bezdi paguhet me çmime të shtrenjta dhe të padrejta në treg,” përfundon ai.
Reagimi i Braçes ka ngjallur debat dhe rikthen në vëmendje shqetësimet e qytetarëve për çmimet e ushqimeve bazë në vend.