Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar që ndërrimet dhe lëvizjet e drejtorëve, që po ndodhin aktualisht në bashki, të aplikohen njësoj edhe në institucionet qendrore dhe brenda vetë qeverisë.
I ftuar në emisionin “Çdo Kënd” me Merita Haklajn, Braçe u shpreh se është dakord me lëvizjet e drejtorëve në nivel vendor, por theksoi se drejtuesit e institucioneve qendrore dhe korporatave shtetërore duhet të ndjekin të njëjtin standard.
“Për vite me radhë kam dëgjuar se si u është kërkuar atyre anëtarëve të Kryesisë që janë edhe drejtues të bashkive, edhe atyre që janë drejtues politik, që të lëvizin drejtorët. Nëse ka një faktor që të nderon apo të rrëzon, janë pikërisht drejtorët e shtetit,” tha Braçe.
Ai propozoi që të gjitha pozicionet drejtuese në administratën publike, përfshirë dhe ato të korporatave shtetërore, të jenë me mandat 4-vjeçar, duke ndaluar riciklimin e tyre në poste të tjera pas përfundimit të mandatit.
“Ajo që kam propozuar unë te komisioni për mirëqeverisjen, ishte që drejtorët duhet të jenë me mandat. Këtu përfshihen edhe këta drejtorët e korporatave. Mandati duhet të jetë 4-vjeçar dhe që nuk riciklohet në një vend tjetër drejtori,” theksoi ai.
Duke ngritur një pyetje retorike, Braçe shtoi:
“Kjo po ndodh tani me bashkitë, por pyetja që kam unë është: kur do të ndodhë me këta të shtetit? Me këta të qeverisë, kur do të ndodhë kjo që po ndodh me bashkitë?”
Deklaratat e Braçes vijnë në një moment kur qeveria dhe Partia Socialiste po ndërmarrin lëvizje të thella në administratën vendore, pas analizës së performancës pas zgjedhjeve të fundit lokale.