Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë për projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026”, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, shprehu kritika për nivelin e deficitit buxhetor, duke theksuar se investimet publike duhet të jenë tre herë më të mëdha se deficiti.
Braçe u shpreh se disiplina buxhetore dhe ekzekutimi i saktë i deficitit janë të domosdoshme për shëndetin ekonomik të vendit:
“Mirë po e mbyll. Investimet publike duhet të jenë tre herë më të mëdha se deficiti buxhetor. Cila është vërejtja ime? Nuk kemi një disiplinë buxhetore. Ekzekutimi i deficitit duhet të jetë detyrim. Çdo cëndarkë që nuk realizohet shkon deficit dhe i duhet ekonomisë kombëtare,” – tha Braçe.
Ai gjithashtu bëri dallimin mes detyrimeve të trashëguara dhe atyre të krijuara nga keqmenaxhimi:
“Për detyrimet që vijnë si pasojë e keqqeverisjes apo keqmenaxhimit, nuk duhet të bëhet falje. Por për ato të trashëguara dhe për bashkitë që demonstrojnë vullnet, si Pogradeci, duhet të ofrohet ndihmë,” – shtoi deputeti.
Braçe foli edhe për menaxhimin e aseteve publike, duke përmendur incineratorët dhe administrimin e tyre nga agjencitë përkatëse, dhe theksoi rëndësinë e një administrimi të qëndrueshëm të financave publike.



