Kryetari i komisionit të posaçëm të dezinformimit, Erion Braçe, prezantoi sot para Komisionit të Ligjeve Strategjinë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit. Strategjia synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ligjore për të parandaluar ndërhyrjet e huaja që mund të kërcënojnë proceset demokratike, stabilitetin politik, sigurinë kombëtare dhe ekonominë e Shqipërisë.
Braçe theksoi se Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në BE dhe anëtare e NATO-s, është e ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve hibride dhe ka nevojë për masa të reja mbrojtëse.
Në fjalën e tij, deputeti socialist u ndal edhe te financimet e partive gjatë fushatave zgjedhore, duke kërkuar kontroll dhe transparencë më të madhe mbi burimet e fondeve nga palët e treta, për të shmangur komercializimin e zgjedhjeve.
Braçe theksoi se flukset e mëdha të parave nga burime të pa deklaruara, si në zgjedhjet e 11 majit, janë shqetësuese dhe kërkojnë një rregullim ligjor për detyrimin e palëve të treta për të deklaruar financimet.
Ai kërkoi që të mbarojnë “historitë me celularin para, ja sa harxhoj unë”, duke theksuar se zgjedhjet duhet të jenë proces i drejtë dhe i lirë, jo një garë për blerje vote.
Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve monitoron vetëm sipërfaqësisht burimin e financimeve, bazuar në vetëdeklarimet vjetore të partive politike.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimit të demokracisë në vend.