Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur një denoncim të fortë ndaj institucioneve shtetërore që po zbatojnë aksionin për sigurinë ushqimore, duke i akuzuar për goditje të padrejtë ndaj fermerëve dhe prodhuesve të vegjël vendas, ndërsa, sipas tij, bizneset e mëdha përjashtohen nga kontrolli.
Në një reagim publik, Braçe sjell rastin e një baxhoje në fshatin Zharnec të Divjakës, të drejtuar nga një qytetar i quajtur Tani Mebelli, i cili është gjobitur me 40 milionë lekë dhe i janë sekuestruar 33 tonë djathë, prodhim i muajve të fundit.
“Ky nuk është rikthim i sigurisë ushqimore, është varrosje e një punëtori,” – shkruan Braçe, duke denoncuar kontrollin e AKU-së dhe Tatimeve, që sipas tij ka nisur të shtunën pasdite dhe ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Ai sqaron se djathi nuk është sekuestruar për cilësi të keqe apo përbërje të dyshimtë, por për mungesë faturash për qumështin e blerë nga blegtorët vendas të zonës, si Zharneci, Kamenica, Kryekuqi, Miza, Guri e të tjerë.
“Të bësh djathë të vërtetë, me qumësht natyral, nuk del në kosto nëse pret faturë për çdo litër. Humb para dhe del jashtë tregut,” – argumenton ai, duke akuzuar shtetin për favorizim të industrisë së djathit me bazë qumështi pluhur dhe vaj palme.
Deputeti pyet drejtpërdrejt administratën tatimore:
“Në cilën fabrikë të madhe të përpunimit të qumështit e keni bërë këtë inventar me bazë faturat? Në cilën?”
Sipas Braçes, situata është rezultat i skemës së TVSH-së së vendosur në vitin 2018, që ka krijuar pabarazi mes fermerëve të vegjël dhe industrisë së përpunimit.
“Nëse bëni të njëjtin kontroll në fabrikat e mëdha, do të duhej të arrestonit përgjegjësit për evazion fiskal të frikshëm,” – thekson ai.
Në fund të reagimit, Braçe i kërkon ndjesë qytetarit nga Divjaka për padrejtësinë që, sipas tij, i është bërë, duke e cilësuar aksionin si një “varrosje të prodhimit vendas”.



