Pas akuzave të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, se po mbahet në izolim për shkak të firmave të ish-sekretarit të LSI-së Endrit Braimllari për lobimin në SHBA, ka ardhur një reagim i fortë nga ky i fundit. Braimllari e ka cilësuar deklaratën e Metës si një përpjekje për ta intimiduar dhe për të goditur imazhin e tij publik.
Sipas Braimllarit, publikimi i materialeve hetimore është një lëvizje e qëllimshme për të larguar vëmendjen nga problemet që Meta ka me drejtësinë. “Nxjerrja e materialeve hetimore nga dosja i shërben tërheqjes së vëmendjes nga problemi i tij i vërtetë me drejtësinë”, deklaron ai.
Braimllari ka sqaruar se nuk ka firmosur asnjë kontratë lobimi gjatë periudhës që ka mbajtur detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së. Ai thotë se fatura për të cilën flet Meta është një procedurë e rregullt, e kryer përmes bankës, e deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe e audituar.
“Unë nuk kam firmosur kontrata lobimi. Fatura është deklaruar dhe audituar nga KQZ. Është Meta ai që po hetohet për mosdeklarim të shpenzimeve. Në dijeninë time, lobimet janë bërë në kohën kur ai drejtonte partinë”, thekson Braimllari.
Përplasja mes dy ish-bashkëpunëtorëve vjen në një moment të ndjeshëm politik, pas emërimit të Braimllarit si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe teksa hetimet e SPAK mbi financimet e dyshimta të partive politike po intensifikohen.