Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si mosvendimmarrje barazimin 4-4 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e qeverisë për shfuqizimin e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Sipas tij, ky barazim e ka lënë në fuqi vendimin për pezullimin e saj, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për funksionimin e pushtetit ekzekutiv në Shqipëri.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama deklaroi se Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim të qartë për një çështje që, sipas tij, është elementare në çdo demokraci funksionale.
“Mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministres, e cila, për ta bërë shumë të qartë, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e një anëtari të qeverisë në një seancë paraprake, pa filluar ende gjyqi”, u shpreh Rama.
“Një precedent i padëgjuar në botën demokratike”
Kryeministri e cilësoi pezullimin e një anëtari të qeverisë nga një prokuror dhe një gjyqtar, në fazë paraprake dhe pa gjykim, si një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike. Ai akuzoi Gjykatën Kushtetuese se nuk gjeti “forcën” për ta ndalur këtë praktikë.
“Sot Shqipëria bëhet shembull i një absurdi botëror. Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të asaj që Servantesi e quan ‘arsyet e mosarsyes’”, tha Rama, duke ironizuar bllokimin e vendimmarrjes në gjykatë.
Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me rastin konkret të Ballukut, por me një parim themelor të demokracisë, atë të pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nga pushteti gjyqësor.
“Zhbërja e kësaj shpikjeje 100% ‘Made in Albania’ të drejtësisë ende të papjekur është një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive dhe parlamentare nga pushteti gjyqësor”, theksoi Rama.
“Beteja do të vazhdojë”
Kreu i qeverisë paralajmëroi se mazhoranca nuk do të tërhiqet nga kjo çështje dhe se beteja ligjore dhe institucionale do të vijojë, pavarësisht vendimit të munguar të Kushtetueses.
“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku, fatkeqësisht, na mban ende sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim të thjeshtë, por jetik për demokracinë”, deklaroi Rama.
Ai paralajmëroi se me këtë precedent të krijuar, në teori, çdo institucion i lartë, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, mund të pezullohet nga një prokuror.
“Me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga mosvendimmarrja, sot Shqipëria rrezikon të mbetet i vetmi vend në planet ku edhe Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga prokurori i parë që zgjohet me këtë ide në kokë”, tha kryeministri.
Sulm ndaj “arresteve pa gjyq” dhe opozitës
Në të njëjtën deklaratë, Rama sulmoi ashpër edhe atë që e quajti modë të re të arresteve pa gjyq, duke iu referuar një rasti të fundit në Durrës, ku një prokuror ka firmosur dhjetëra masa arresti.
Sipas tij, këto veprime nuk përmbushin asnjë nga kriteret e përcaktuara nga Këshilli i Europës dhe standardet e drejtësisë demokratike.
“Kush beson se lufta për shtetin ligjor do të kthehet në kosto politike për këtë shumicë qeverisëse dhe do të ringjallë mullirin e prishur të opozitave, gabon rëndë”, deklaroi Rama.
Ai përfundoi duke theksuar se, sipas tij, garanti i vetëm i procesit të drejtësisë dhe integrimit europian mbetet qeveria aktuale.
“Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik dhe për Shqipërinë europiane ka sot vetëm një garant: mua dhe këtë shumicë qeverisëse”, përfundoi Rama.



