Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Koli Bele, ka dhënë sqarime për mënyrën se si është kryer procesi i vlerësimit të votave në kutitë e rinumëruara për qarkun e Tiranës, pas dyshimeve të ngritura nga komisionerët për vlefshmërinë e disa fletëve të votimit.
Sipas Belet, jo të gjitha votat janë vlerësuar nga KAS, por vetëm ato për të cilat ka pasur mosmarrëveshje mes komisionerëve, nëse duhej apo jo të konsideroheshin të vlefshme.
“Kjo nuk është shkencë ekzakte. Në raste të rralla, kur numëruesit nuk ishin dakord, votat kanë ardhur te përfaqësuesit e KAS, ku është marrë vendimi përfundimtar. Jo të gjitha votat janë shqyrtuar nga ne,” – u shpreh ai.
Bele shtoi se në disa raste në fletët e votimit janë hasur sharje apo piktura të papërshtatshme, të cilat nuk janë njohur si vota të vlefshme.
“Mund të ishte edhe fjala ‘Ylli Bufi’, aty kishte edhe sharje apo piktura të papërshtatshme që nuk i kemi njohur si votë. Nëse fjala ‘bufi’ del në kutitë e Fierit, do të bëjmë një mbledhje të zgjeruar për të përcaktuar gjithçka,” – ironizoi Bele, duke ilustruar kompleksitetin e procesit të vlerësimit.
Ky sqarim vjen mes një procesi rinumërimi të ndjeshëm, që ka tërhequr vëmendje të madhe nga palët politike dhe publiku, sidomos në qarqet më të mëdha si Tirana.